Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi është deklaruar pas intervistimit nga Prokuroria Speciale lidhur me deklarata e tij për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Ndër të tjera, Abazi ka folur edhe për shkarkimin e tij nga Komisionet Parlamentare.

Ai ka thënë se shkarkimi i tij kryetar i Komisionit vjen për shkak të guximit për të çelë tema kritike për shoqërinë.

“Kam marrë ftesën nga Prokuroria, unë i jam përgjigjur ftesën. Prokuroria ka qenë jashtëzakonisht korrekte në procesin e intervistimit si dëshmitar. Të gjitha pjesët tjera janë pjesë e Prokurorisë. Është çështje e Prokurorisë të merret me këtë çështje dhe të realizojë drejtësinë”.

Abazi ka thënë se nuk do të ndalet, pavarësisht limitimeve dhe presionit që mund t’i ushtrohet.

“Ajo që them unë edhe si deputet edhe si qytetar i lirë i Republikës së Kosovës, të cilit i garantohet e drejta e fjalës, nuk do të ndalem që pavarësisht limitimeve që mund të ekzistojnë nga presioni deri në realizimin e të drejtave të mia si deputet dhe qytetar në një shoqëri normale. Pjesa tjetër është politike, presioni mund të shkojë në drejtime të ndryshme”.

“Shkarkimi im si kryetar i Komisionit vjen për shkak të guximit tim për të çelë tema kritike për shoqërinë tonë. Kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkuz. Ne kemi bërë gjithë punën tonë për ndryshimin e madh në këtë vend. Kjo që po ndodh tani, përfshirë edhe shkarkimin nga z. Kurti, është rezultat i guximit qytetar dhe kryerjes së punës sipas betimit tim në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Abazi.

/TV Malisheva

Share.