Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklaratës së Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.
Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se Kosova sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj.
“Ç’të duhen kundërshtarët e jashtëm, kur i ke të brendshmit? Republika e Kosovës, sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj. Fati i projektit më të madh shqiptar, ‘Kosova shtet i pavarur e sovran’ është në duar të mohuesve të vet shtetësisë. Prandaj betimi mbi Republikë është farsë. Prandaj shkelja e Kushtetutës bëhet zakonshmëri. Sepse mosbesimi ndaj Kosovës është bindje. Këta kanë atdhe të dytë. Ne kemi vetëm Kosovën”, ka shkruar ai.
Kreu i LDK-së gjithashtu është shprehur se Kosova është e përhershme.
“LDK-ja si formacion i vetëm pavarësist, beson në Republikë. Fëmijët tanë meritojnë të besojnë në Republikë! Në shtetin që prindërit e gjyshërit e tyre nuk e kishin por ua kanë lënë me plot sakrificë. Në shtetin që në vend të mbytjes së ëndrrave e dhënies së pasigurisë u jep shpresën se një ditë do të jenë të barabartë mes popujve e shteteve euroatlantik! Prandaj dhe zgjedhja juaj është fare e lehtë. Sepse Kosova është e përhershme”, shkroi tutje Abdixhiku.
/TV Malisheva