Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku reagoi ndaj deklaratës së sotme të ministrit Xhelal Sveçla, i cili protestën e veteranëve e lidhi me luftën hibride nga Serbia.
Ai potencoi se gjuha e ministrit të Punëve të Brendshme kërkon përplasje, dhunë e krizë.
Ndër të tjera, ai kërkoi shkarkimin e Sveçlës, derisa shtoi se Kosova meriton më mirë.
“Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë. Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë. Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë. Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë. Sot, megjithatë na duhet maturi. Na duhen mendje të urta, që afrojnë e s’ndajnë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak. Kosova meriton më mirë. Kosova duhet ta bëjë një rrugë të re. Kjo gjuhë, dhuna e nxitja e saj, nuk kanë vend.”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u shpreh se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po e humb betejën me kryeministrin Albin Kurti. Ai potencoi se Vuçiq po i kthehet luftës hibride që siç potencoi ai, përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë. Ai si nxitje të trazirës e konsideroi edhe protestën e sotme të veteranëve, e cila do të mbahet kundër qeverisë.
/TV Malisheva