Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se zgjedhjet në këtë parti janë një festë dhe se kuvendi i sotëm zgjedhor është përcaktues i fatit të Republikës së Kosovës.
Ai falënderoi të gjithë burrat dhe gratë e LDK-së, që ishin themeltarë të kësaj partie.
“Kemi thënë se zgjedhjet në LDK janë festë, janë festë sepse manifestojnë themelin e vetëbesimit tonë ideologjik. Atë të shprehjes e demokracisë, një vlerë e marrë si e mirëqenë për grupimin tonë politik por më besoni më e domosdoshme sidomos në këtë kohë. Ky nivel i masivizimit demokratik, është shenj e një thirrje e anëtarësisë si pritje e tyre ndaj secilit prej nesh. Së bashku kemi arritur ta bëjmë rrugën e ringritjes sonë të madhe, atë që e kërkonim të gjithë, atë që besonim se do ta gjenim të gjithë. E gjetëm sepse kemi ecur drejt, na gjeti sepse kemi ecur mbarë”, u shpreh Abdixhiku.
Ai nuk kurseu as akuzat ndaj qeverisjes Kurti, duke thënë se Kosova vazhdon të pranojë goditje të vazhdueshme dhe se po udhëhiqet nga popullistë.
“Polarizimi i shoqërisë ka mbytur aspiratat individuale të secilit. Një vend ku përmend më shumë 2013 dhe 2030… Projekti ynë për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE është në kërkim të veprimit tonë politik”, u shpreh ai.
Dy vjet e gjysmë më parë, Abdixhiku shtoi se mori zotimin për të udhëhequr partinë, dhe se gjatë kësaj kohe kanë nisur punën edhe për lidhjen me mërgatën.
Ai para delegatëve theksoi se gjatë kësaj kohe kanë organizuar edhe takime konsultative me mediat dhe shoqërinë civile.
/TV Malisheva