Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin Albin Kurti se ka shkelur të gjitha parimet për dialogun, përfshirë edhe 6 kushtet e prezantuara në fillim të shkurtit në Kuvendin e Kosovës.

Abdixhiku deklaroi se 6 kushtet e Kurtit nuk ishin, as pjesë tekstuale e aneks marrëveshjes, as pjesë deklarative të kryeministrit të Kosovës.

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke, ishte njëri ndër kushtet e Kurtit në këtë Kuvend. Dhe nuk kanë kaluar as dy muaj dhe aneks marrëveshja e pranuar në formë deklarative më 28 mars në Ohër parasheh qartë obligimin e palëve për të nisur menjëherë diskutimet e themelimit të aranzhimeve speciale për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë sipas marrëveshjeve paraprake në një marrëveshje pa njohje në të”, deklaroi Abidxhiku.

Kreu i LDK-së tha se ndien keqardhje për të gjithë ata që janë mashtruar e shfrytëzuar nga Kurti.

Duke cituar të ndjerin Adem Mikullovci që pati cituar Azem Shkrelin dhe poezinë “Njerëzit”, Abdixhiku u shpreh nuk i intereson si e sheh Kurti veten luan apo kameleon por është për keqardhje që Kosova ka humbur kohë në këtë proces.

“Por, tani unë brengë nuk e kam se në këtë pasqyrë a i del vetja luan, apo kameleon, unë brengë kam qëndrimin politik të Republikës së Kosovës dhe mungesën e plotë të kredibilitetit. Kjo mungesë kredibiliteti shpreh mungesë qartësie të institucioneve tona të Republikës së Kosovës dhe kjo mungesë qartësie shoqërohet me prezencë paqartësie të vetë kryeministrit mbi rezultatet që ai prodhon. Sikurse që nuk ishte i qartë dhe së këndejmi i vetëdijshëm, në përmbajtjen e Nenit 7 në seancën e fundit dialoguese, ai edhe sot është i paqartë dhe rrjedhimisht i pavetëdijshëm mbi produktin e dakorduar nga vetë ai. Derisa përditë me radhë fliste për mosnënshkrimin e Serbisë dhe këtë mosnënshkrim dëshironte ta transformonte si ombrellë lëvdate të pozicionit të tij, ai ishte tërësisht i pavetëdijshëm për pikën 3 të Aneks Marrëveshjes që na thoshte qartë se Marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneks marrëveshja e Ohrit janë tanimë obligime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe tanimë të kornizuara brenda ligjeve të Bashkimit Evropian si kritere anëtareusese për shtetin tonë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku u shpreh se marrëveshja është obligim i Kosovës dhe nuk ka mundësi që e njëjta të rinegociohet.

“Në perspektivë shtetare, më s’është çështja se kush çfarë bën, dhe më s’ka rëndësi pas ndryshimeve kaq të shpeshta, në perspektivë shtetarë, Kurti ka shndërruar një marrëveshje bazë, pa njohje në të, me të drejta vëtëmenaxhuese për serbët dhe me status politik për Kishën Ortodokse Serbe si kritere të pandryshueshme për Kosovën në rrugën e saj drejt BE. Këto kritere nuk ndryshohen më. Këto kritere nuk negociohen më – sepse janë pranuar tashmë – këto kritere duhet të zbatohen nga kushdo që është i ulur në përgjegjësinë udhëheqëse të shtetit. Sot, nesër, apo kurdo që Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe kjo na sjellë te vet thelbi i asaj që Kurti ka sjellë për Kosovën në këtë proces dialogues të menaxhuar, dizajnuar e të përfunduar nga ai; dhe për më tepër çfarë nuk ka sjellë në këtë proces të keq menaxhuar nga ai”, vijoi kreu i LDK-së.

Kryetari i Lidhjes tha se vetëmenaxhimi për serbët nuk e zëvendëson Asociacionin por në të vërtetë, sipas tij, është koncept shumë më i gjerë se sa Asociacioni.

“Sado eksponentë të pushtetit po mundohen ta ofrojnë vetëmenaxhimin si zëvendësim të Asociacionit, për të thënë se kanë ofruar diçka më mirë, prapë si lojë e brendshme politike në Kosovë, e vërteta e vetme është që vetëmenaxhimi është koncept shumë i gjerë se sa Asociacioni. Sepse vetëmenaxhimi është e drejtë. Asociacioni është trup. E drejta e pranuar për serbët, si vetëmenaxhim, nuk është paralele me trupin organizativ ku ajo ankorohet. Mund të vendoset në asociacion, në këshill, në trup vetëorganizativ – por ajo mbetet e drejtë. E drejta u është pranuar dhe jo vetëm aq, kjo e drejtë është bërë kriter ndërkombëtar nga Bashkimi Evropian për Republikën e Kosovës për aq sa ka Bashkim Evropian”, tha Abdixhiku.

 

Abdixhiku u shpreh se kjo marrëveshje do të jetë barrë për gjeneratat e ardhshme, pasi përmbushja e obligimeve do të jetë e lidhur edhe me anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Meqë e drejta është bërë kriter anëtarësues për Kosovën, rruga e vetme, fatkeqësisht, që ka mbetur për ne është adoptojmë veten për të përmbushur këtë kriter. Dhe kjo tani është barra e përjetshme që kryeministri i ka dhënë gjeneratave të ardhme. Nuk ka më rëndësi fati i tij politik e bënë apo se bënë. Një të drejtë vetëmenaxhuese, një komuniteti serb kudo që jeton në Kosovë e ka vendosur kriter ndërkombëtar për anëtarësim në BE të Republikës së Kosovës. Mbi çdo marrëveshje, mbi çdo ligj, mbi çdo kushtetutë. Dhe javët e muajt, e vitet në vijim ne do të merremi me adaptim të Kosovës për këtë marrëveshje të tij të pranuar, të dakorduar e normuar brenda kritereve të BE-së”, tha kreu i LDK.

Sipas Abdixhikut, vet mbajtja e Kosovës në proces dialogues me Serbinë është humbje e madhe e devijim fillestar nga koncepti i rëndësishëm i një marrëveshje finale, që sipas tij, marrëveshje finale për të mbyllur çështjet me Serbinë e jo një marrëveshje që e mbanë në 10 vitet e ardhshme dialoguese të Kosovës dhe pa afatizim.

/TV Malisheva

Share.