Lumir Abdixhiku, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një shkrim në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ideja për zgjedhje po i jep frikë Partisë Demokratike të Kosovës për shkak se sipas tij kjo do të jetë hera e fundit që ata janë në pushtet.

“Zgjedhjet u japin frikë deri në palcë. Vullneti i qytetarëve i tmerron. Sepse e dinë se kjo është hera e fundit që i rrinë Kosovës përmbi” shkroi Abdixhiku duke shtuar se “Njëzet vjet kapje po marrin fund – ma në fund”.

Ai madje tregon se kjo është arsyeja se pse Hashim Thaçi nuk po e cakton datën e zgjedhjeve e Kadri Veseli nuk po thërret seancë, e që kanë për qëllim të blejnë kohë.

“Prandaj dhe Hashimi i PDK-së nuk cakton datë. Qeveri e rënë, e dorëhequr – dhe asnjë fjalë. Prandaj dhe Kadria i PDK-së nuk thërret seancë. Në blerje të vazhdueshme kohe, për aq sa mund të zgjasë” shkroi ai.E në anën tjetër, Abdixhiku e sheh si kontradiktor faktin që shteti ndau buxhet për autostrada, për zëvendësministra, koordinatorë e asistent koordinatorësh por nuk ka ndarë buxhet për zgjedhje.

“Prandaj dhe një ministër PDK-je, në cektësinë e diturisë që ka, thotë se zgjedhjet s’mund të mbahen sepse për to buxhet nuk ka. Por kishte për autostradë. Kishte për kontrata korruptive 50 e sa milionëshe. Kishte për pagat e tyre me rritje, për armatën e badihavgjinjëve, për ata dhjetëra zëvendësministra, koordinatorë, asistentë koordinatorësh e ku me ditë çka” shkroi deputeti i LDK’së, transmeton Gazeta Express.

Sipas tij, buxheti Kosovës nuk i mungon madje nëse është nevoja duhet të përdoren rezervat shtetërore.“Natyrisht se Kosova buxhet ka. Ka dhe një rezervë shtetërore mu për raste si këto” shprehet Abdixhiku në Facebook.

Sipas Abdixhikut, “Kosova s’ka veçse Qeveri. S’ka sot zot të mbarë shtëpie që shtetin e trajton jo si mjet “zhbirje” – kapje deri në sekondin e fundit – por si përgjegjësi” duke shtuar se “ Zgjedhjet janë veçse fillimi. Asnjë kalkulim i mbrapshtë s’mund të ndalë rënien e kapjes dhe fundin e PAN-it”.

Share.