Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, reagoi pas grevës në QKUK duke thënë se mjekët sot kanë kaluar çdo kufi.
Duke kujtuar rastet e personave të prekur nga kanceri të cilët sipas tij nuk janë trajtuar, Abdixhiku shkroi se në asnjë vend normal greva nuk prekë rastet e jetës.
“Hallegjinjtë me sëmundje kanceri, refuzohen për kimioterapi. Në ftohtësinë më të madhe njerëzore, kthehen mbrapshtë si mall. Arsye u thonë është greva. Ec e shpjegoja dikujt që përballet me jetë arsyet e tua për grevë. Në asnjë vend normal greva nuk prekë rastet e jetës. Sepse greva s’mund të mundë njerëzoren. Është megjithatë një kufi. Sot, të dashtun mjekë, kaluat këtë kufi”, tha Abdixhiku.
Deputeti i LDK-së tha se mjekët kanë të drejtë të mbajnë inat, por adresa se ku e shprehin mllefin është gabim.
“Keni çdo të drejtë të mbani inat; keni të drejtë të protestoni. Ju kanë mashtruar. Kanë luajtur me dinjitetin tuaj për një vit rresht. Ju kanë dhënë një ligj të padrejtë, të rrëzueshëm – e tash, mu atëherë kur u duhet destabilitet, ju përdorin si mjet. Por adresën e mllefit e keni gabim. Më së paku në këtë adresë i gjeni pacientët me kancer; të cilët juve ju shohin si heronj të fundit, e ato barna që i presin me javë rend si shpresë për më shumë jetë. E di këtë punë vet. Kam kaluar nëpër korridoret e tilla”, përfundoi Abdixhiku