Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se këtë të premte (26 maj) do të mbahet mbledhje për të formalizuar zgjedhjet e rregullta të brendshme të kësaj partie.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku pas mbledhjes me kryesinë, në konferencë për media, procesin e zgjedhjeve të brendshme e ka quajtur festë.
Abdixhiku ka theksuar se procesi i brendshëm pritet të fillojë nga 1 qershori.
Abdixhiku: Kryesia e LDK-së ka marrë vendim që të shpallë zgjedhjet e brendshme
“Kryesia e LDK-së ka marrë vendim në mënyrë unanime që të shpallë zgjedhjet e brendshme të LDK-së dhe që këtë propozim t’ia dërgojë Këshillit Përgjithshëm të LDK-së, që do të mbledhet këtë të premte për të formalizuar kështu zgjedhjet e rregullta të brendshme të LDK-së. Ky proces për ne është festë, sepse LDK gjithmonë ka besuar se demokracia e brendshme është vlerë, jo vetëm në ndërtim të Lidhjes Demokratike, por si vlerë, të cilën besojmë ta manifestojmë edhe në prosecin tonë të bredshëm. Ftojmë çdo anëtar e qytetar që të bëhet pjesë e proceseve tona zgjedhore të brendshme. Kemi aprovuar një kryesi dhe shtatë parime që do ta përcaktojnë këtë proces zgjedhor, dhe presim që nga aty të nisë procesi i brendshëm që nis me 1 qershor e në vjeshtë do duhej të përfundojë me festë. LDK në të kaluarën ka mbajtur standard të lartë të organizimit të zgjedhjeve ku garimi dhe respekti ndaj vlerave të LDK-së kanë qenë shembull i këtyre proceseve…Të njëjtën garë e proces e pres edhe në këtë proces”, ka thënë Abdixhiku.
I pyetur nëse ka mospajtime brenda partisë, Abdixhiku ka thënë se nuk ka.
Abdixhiku: Partia ka qenë më e bashkuar se kurrë
“Nuk ka mospajtime brenda partisë, partia ka qenë më e bashkuar se kurrë. Pra, sot Kryesia e LDK-së pa asnjë votë kundër ka aprovuar parimet që i kam prezantuar. Kemi një proces të rregullt e të hapur, por që më tepër është mobilizuase, pra që të dalim më të fuqishëm dhe në veçanti një përfshirje më të madhe të të rinjëve e gruas, një nga parimet është kjo. Kërkon barazi gjinore, siç kërkon që çdo degë e LDK-së njëra nga pozitat të jetë e gruas, duam ta rrisim këtë. Nuk ka mospajtime, tanimë dorëheqjet në ditën kur shpallen zgjedhjet janë të pakuptimta”, ka thënë ai.
Ai ka uruar që të ketë garë në të gjitha nivelet, përfshirë edhe garën për kryetar të partisë. Ai ka ftuar secilin pjesëmarrës që ka ambicie dhe plan ta shtrojë platformën e tyre.
Sa i përket dorëheqjes prej antarësisë së Faton Bislimit, Abdixhiku është shprehur se nuk e ka parë deklaratën e tij.
Abdixhiku ka përmendur edhe disa nga parimet e zgjedhjeve brenda partisë.
Abdixhiku: Zgjedhjet do të bëhen sipas regjistrimit të anëtarësisë
“Do të kemi organizim më të plotë të degëve të Prishtinës që s’ka ndodhur që nga themelimi i LDK-së, do të kthehemi me themelimin e nëndegëve të reja gjithandej Prishtinës, riorganizim të degëve në mërgatë, me veçanti në Zvicër e Gjermani, do të njohim zgjedhjen në katër degë që janë mbajtur në periudhën e jashtëzakonshme, dhe për herë të parë brenda historisë së LDK-së zgjedhjet do të bëhen sipas regjistrimit të anëtarësisë”, ka thënë mes tjerash Abdixhiku.
Po ashtu, ai ka shtuar se kanë marrë vendim që të hapen katër degë në komunat veriore të Kosovës.
Zgjedhjet përfshijnë pozitën e kryetarit dhe strukturat e partisë.
Këto zgjedhje janë në kuadër të ciklit të rregullt zgjedhor katërvjeçar, që është i përcaktuar në statutin e LDK-së.
Ndryshe, zgjedhjet e fundit të rregullta në LDK janë mbajtur në vitin 2019.
/TV Malisheva