Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka ndarë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, çmim ky që iu dha shkrimtarit Adem Gashi, si dhe çmimet e tjera vjetore për letërsi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se ndarja e çmimeve është bërë nga juria profesionale, me kryetar Agim Vincën.
“Jemi këtu në ngjarjen tradicionale të Ministrisë Kulturës Rinisë dhe Sportit, për ndarjen e çmimeve vjetore në fushën e letërsisë. Juria profesionale në përbërje, Agim Vinca, kryetar i Jurisë, Majlinda Bregasi-anëtare, Isak Shema-anëtar, Ag Apolloni -anëtar, Ervina Halili-anëtare, kanë bërë ndarjen e çmimeve në kategoritë të cilat parashihen me rregulloren tonë për çmimet vjetore në fushën e letërsisë”, tha Çeku.
E shkrimtari Adem Gashi, i cili fitoi çmimin kombëtar letrar “Azem Shkreli”, tha se ndjehet i nderuar me çmimin më të lartë të karrierës letrare.
“Jam hamendur shumë nëse duhej të flisja sot, prirë nga bindja se kur njeriu vlerësohet me çmimin më të lartë të karrierës letrare, pikërisht për mjeshtërinë e fjalëve, ç’u dashka të thotë tjetër, e megjithatë ministër paska diçka që ju me fjalorin e administratës e quani protokoll dhe një shkrimtar me fjalori poetik i themi ritual”, theksoi Gashi.
Ndërsa çmimet tjera në letërsi që u dhanë sot janë si në vijim:
Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, iu dha Mehmet Krajës për romanin “Liria Ime”;
Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja”, iu dha Xhevdet Bajrajt për librin “Burri që lozte me engjëjt”;
Çmimi për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj”, iu dha Shaip Grabovcit për dramën për fëmijë “Zëra nga Vitrina”;
Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova”, iu dha Blerina Rogova-Gaxhës për studimin “Vdekja në letërsinë moderne shqipe”;
Dhe, çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” iu dha Col Mehmetajt për përkthimin e veprës “Meditime” të Mark Aurelit./TV Malisheva