Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar xhudisten Distria Krasniqi për suksesin e radhës që ia solli vendit të saj.

Krasniqi arriti që në ditën e parë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” të sigurojë medaljen e artë, pasi që në finale e mposhti xhudisten japoneze Funa Tonaki.

Fitoren dhe suksesin e arritur të Krasniqit e uroi edhe presidenti i FFK-së Agim Ademi përmes rrjetit të tij social “Facebook”.

“Kosova vend i vogël, por me kampion të mëdhenj! Urime medalja e artë olimpike Distria Krasniqi. Suksesi i juaj madhështor në Olimpiadën e Tokios na bën krenar të gjithëve dhe u jep motiv gjeneratave të reja për t’i ndjekur deri në fund ëndrrat e tyre”, shkruan Ademi.

“Urime edhe trajnerit dhe punëtorit të palodhshëm Driton Kuka, drejtuesve të Federatës së Xhudos dhe drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës. Shpresoj që edhe në ditët e ardhshme sportistët tanë të arrijnë suksese tjera në Tokio”, shkruante më tej në postimin e Ademit në “Facebook”.

Kjo është medalja e dytë e artë olimpike për shtetin e Kosovës, ku të parën e kishte siguruar xhudistja Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. /TV Malisheva

Share.