Aktorja e njohur shqiptare, Adriana Matoshi, njëherësh deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë sot (e enjte) fjalën gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Përqendrimi i saj ka qenë në fushën që ajo vepron, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës përkrahjen e industrisë së filmit.

“Viteve të fundit, vajza dhe djemtë e kinematografisë, aktorë dhe regjisorë nga Kosova kanë shënuar rritje të suksesit në arenën ndërkombëtare të filmit. Edhe pse me buxhet të vogël, falë talentëve të shumtë, kemi filma në të gjitha festivalet më të mëdha të botës si në: Sundance, Rotterdam e Kanes”, tha aktorja e çmimeve prestigjioze.

Tutje, ajo shtoi se duhet plotësuar ligji për kinematografi, në mënyrë që Kosova të ketë mundësinë e përfitimit të granteve në kinematografi.

“Ky talent duhet të përkrahet në nivel vendi, fillimisht duke plotësuar ligjin për kinematografi, të harmonizojnë ligjet, të cilat mundësojnë që Kosova të përfitojë fonde evropiane të filmit. Duhet të rregullohet ligji për sponsorizime, për lehtësira financiare për kompanitë e huaja që xhirojnë në Kosovë”, tha tutje Adriana.

Madje ajo nuk e la me kaq pasi në fund të fjalimit të saj, Matoshi kërkoi edhe një seancë të jashtëzakonshme për kinematografi.

Përndryshe sot në Kuvendin e Kosovës, është votuar për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit, me 70 vota pro nga deputetet prezentë.

Në po të njëjtën ditë, me 63 vota pro, nëntë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar propozimi i Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit. /TV Malisheva

Share.