Adriatik Kryeziu është dekretuar ambasador i Kosovës në Kanada. Burime brenda presidencës dhe Ministrisë së Jashtme të Kosovës bëjnë të ditur se pas marrjes së pëlqimit nga Qeveria, si edhe propozimit të Ministrisë së Jashtme, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekretuar ambasador të Republikës së Kosovës në Kanada, diplomatin e karrierës nga radhët e shërbimit të jashtëm diplomatik të Kosovës, Adriatik Kryeziu.
Ai është pjesë e shërbimit diplomatik të Kosovës në Republikën Çeke që nga viti 2014 dhe aktualisht, është duke shërbyer si zëvendësshef i misionit të Kosovës në Pragë. Diplomati, Kryeziu, ka udhëhequr misionin diplomatik në Pragë, si i ngarkuar me punët për afro dy vjet (fundi i vitit 2016-2018).
Ambasadori i sapoakredituar ka një përvojë të gjatë, për më tepër se një dekadë në diplomacinë e Kosovës. Ai është pjesë e Ministrisë së Jashtme që nga themelimi i saj, ku ka shërbyer në drejtoritë politike të këtij kësaj ministrie.
Kryeziu, ka të mbaruar shkencat politike dhe administratën publike, ndërkohe që mban gradën e magjistrit për marrëdhënie ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas dokumentacionit të siguruar nga Ministria e Jashtme, ai ka mbaruar një serë specializimesh dhe trajnimesh profesionale e akademike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare e të diplomacisë.