Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka pranuar të enjten, më 30 prill 2020, rreth orës 17:00, një kërkesë të parashtruar nga 30 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përmes së cilës kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, të Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin për media të Gjykatës Kushtetuese thuhet se përveç kësaj, në kërkesën e parashtruar, deputetët parashtrues kanë kërkuar nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullim të zbatimit të Dekretit në fjalë.

Me qëllim të shqyrtimit urgjent dhe gjithëpërfshirës të kërkesës, me numër të rastit KO72/20, Gjykata dje ka dërguar shkresat njoftuese përmes së cilave ka kërkuar nga të gjitha palët e interesit në këtë rast që komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese sot, më 1 maj 2020, në orën 12:00 dhe komentet përkitazi me meritat e kërkesës, t’i dorëzojnë në Gjykatë deri më 8 maj 2020, në orën 16:00.

Sipas Gjykatës Kushtetuese njoftimi për regjistrimin e kërkesës së parashtruar nga deputetët dhe për dorëzimin e komenteve tashmë u është dërguar: Presidentit të Kosovës; Kryeministrit të Kosovës; Kryetares së Kuvendit të Kosovës, me kërkesën specifike që kopja e kërkesës t’u dërgohet të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe Avokatit të Popullit.

Gjykata Kushtetuese është e përkushtuar që në përputhje me përgjegjësitë dhe me funksionin e saj kushtetues, këtë lëndë ta trajtojë me urgjencë dhe prioritet.

Ndryshe, një ditë më parë LVV i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar opinion ligjor për mandatarin të cilin Thaçi ia dha LDK-së, për formimin e Qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit ku u rrëzua qeveria në krye me Albin Kurtin./ Tv Malisheva

Share.