Në orët e para të ditës së premte kanë mbërritur në Shqipëri 121 qytetarët e parë afganë që do të strehohen në Durrës, nga 4000 sa ka pranuar Tirana zyrtare që të strehojë. Ata janë pritur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, që deklaroi se e kishin detyrim moral për të ndihmuar aleatët, ndërsa të pranishëm në aeroport ishin edhe ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, drejtues të Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit.

Në një adresim të sajin, ministrja Xhaçka tha se ky është një moment vërtet emocionues pas shumë ditëve intensive me punë e vështirësi për të sjellë afganët në Shqipëri dhe për t’i larguar nga rreziku.

Sulmi me bombë që ndodhi gjatë së enjtes që i mori jetën 60 personave, Xhaçka tha se ishte pikërisht ajo që i shqetësonte dhe këmbëngulnin që t’i sillnin sa më shpejtë në Shqipëri të njëjtit.

“Ishte pikërisht frika nga sulme të tilla, që na ka shtyrë të bëjmë maksimumin që këta qytetarë të vinin sa më shpejt në Shqipëri, për të qenë larg rrezikut e larg frikës për jetën. Ditë pas dite, na është dashur të përballemi me shtyrje, vështirësi të reja, pengesa të reja si pasojë e situatës së sigurisë. Prandaj sot jam aq e lehtësuar që më në fund avioni i parë arriti të ulet duke sjellë këtu një kontingjent të parë afganësh, burra, gra, fëmijë. Është vërtet një moment emocionues sepse çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë që shihni këtu sot, është një jetë e shpëtuar nga tmerri i luftës dhe i një regjimi që i sheh si armiq për t’u vrarë, për t’u persekutuar”, deklaroi ajo nga aeroporti i Rinasit.

Duke kujtuar strehimin e hebrenjve dhe shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit, Xhaçka tha se ndjehet krenare dhe kështu duhet të ndjehetçdo qytetar pasi shqiptarët po dëshmojnë përsëri atë që është shpirti i vërtet i këtij populli, solidariteti, mikpritja dhe bujaria.

Mirëpo përtej kësaj, ministrja shqiptare u shpreh se ishte edhe një detyrim moral që të strehonin afganët.

Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mikpritjen dhe besën tradicionale të shqiptarëve, këtu bëhet fjalë edhe për një detyrim moral. Sepse këta afganë, pedagogë, artistë, intelektualë, aktivistë të shoqërisë civile, të drejtave të njeriut apo të grave, ishin për 20 vjet aleatët tanë, aleatët e NATO, besuan tek vizioni i një Afganistani modern e rrezikuan gjithçka për të punuar bashkë për ta bërë realitet atë vizion. Prandaj, ishte një detyrim, që këta aleatë të mos i braktisnim në mëshirën e talibanëve, por të bënim çfarë mundeshim për t’ju dhënë mundësinë të largohen nga rreziku qe u kanosej ne vendin e tyre”, vijoi Xhaçka.

Shqipëria ka pranuar të strehojë 4000 afganë përkohësisht derisa të përpunohen të dhënat e tyre për të emigruar në SHBA. Të njëjtit do të vendosen në disa hotele në Durrës, ndërsa ata që do të vijnë në ditët e ardhshme do të shkojnë në konvikte derisa të lirohen hotele të tjera duke qenë se është sezoni turistik.

Xhaçka siguroi se kanë marrë masa për përpunimin e dokumentacionit e regjistrimin, për kontrollet e kujdesin shëndetësor, për paketat higjienike, për ushqimin, transportin e sigurinë.

“Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4000 afganë përkohësisht, derisa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara. Kemi bërë gjithçka, që t’i mirëpresim e t’u ofrojmë kushte sa më të mira e sa më dinjitoze jetese. Grupi që ka zbritur sot, që është grupi i parë, do të strehohet në një strukturë hoteliere në Durrës. Ndërkohë që teksa presim që të kalojë piku i sezonit e të çlirohen kapacitetet e strukturave hoteliere për pjesën tjetër, ata që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetin Studenti. Ne kemi marrë masa për gjithçka, për përpunimin e dokumentacionit e regjistrimin, për kontrollet e kujdesin shëndetësor, për paketat higjienike, për ushqimin, transportin e padyshim edhe sigurinë”, deklaroi ajo./TV Malisheva

Share.