Përderisa shumë kompani aplikojnë punën nga shtëpia, menaxherët dhe punonjësit janë duke mësuar se nevojiten aftësi të ndryshme për të kryer këtë formë të punës sa më mirë. Kompanitë që janë duke punësuar tani, janë në kërkim të punonjësve që mund të tregojnë se ata kanë aftësitë e duhura për të punuar nga shtëpia.
Nëse jeni në kërkim të një pune të natyrës së tillë, Akademi Pune dëshiron t’i ndajë me ju aftësitë që nevojiten dhe kërkohen nga kompanitë. Nëse i posedoni këto aftësi, atëherë e keni shumë më të lehtë ta bindni punëdhënësin se jeni kandidati/ja i/e duhur për ta fituar vendin e punës.
1. Organizimi
Kur punoni nga shtëpia, duhet të jeni më të disiplinuar në aftësitë tuaja organizative dhe planifikuese. Ju duhet të jeni në gjendje të përcaktoni një plan program dhe të jeni efektiv gjatë punës edhe nëse keni shpërqendrime. Ju mund t’i demonstroni këto aftësi në një intervistë duke folur se si keni krijuar një orar për veten tuaj kur keni punuar nga shtëpia më parë.
Edhe nëse nuk keni përvojë të punës në distancë, ju mund të tregoni kohën kur keni pasur ndonjë projekt afatgjatë dhe ju është dashur të vetë-menaxhoni dhe organizoni situatën me të cilën jeni ballafaquar. Vetë-menaxhimi dhe vetë-organizimi janë aftësi mëse të nevojshme kur punoni nga distanca.
2. Njohja e teknologjisë
Kompanitë kërkojnë njerëz që janë të familjarizuar me mjetet tipike të komunikimit dhe bashkëpunimit në distancë. Kjo formë e punës kërkon që të keni njohuri në përdorimin e aplikacioneve të ndryshme për komunikim, pasi që ju duhet të jeni në kontakt të vazhdueshëm me ekipin tuaj të punës përmes video thirrjeve.
3. Bashkëpunimi/komunikimi
Bashkëpunimi si dhe komunikimi është më i lehtë kur jeni në një ambient zyre sepse fizikisht jeni afër, mirëpo edhe nëse punoni në distancë kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi juaj do të zbehet. Kur punoni në distancë, duhet të jeni të suksesshëm në lidhjen me bashkëpunëtorët dhe shefin tuaj në mënyrë që t’i ruani marrëdhëniet tuaja të shëndosha.
4. Vetë-motivimi
Punonjësit në distancë duhet të jenë proaktivë dhe të ndërmarrin iniciativë për të kryer detyrat që kanë, pa pasur nevojë të përkujtohen apo monitorohen vazhdimisht nga menaxheri i tyre.
Në një ambient zyre, menaxheri juaj mund të ulet pranë jush që t’ju monitorojë ose ndihmojë përgjatë ditës. Ndërsa, në punën nga distanca, ju duhet të jeni në gjendje të kryeni detyrat tuaja të punës në mënyrë të pavarur.
5. Disiplina
Nëse nuk keni një sistem dhe disiplinë të vazhdueshme, ju nuk do të jeni në gjendje të jepni nivelin e lartë të përgjegjësisë që kompania ka besuar tek ju. Si punonjës nga distanca, ju duhet të jeni shumë të organizuar me aktivitetet tuaja dhe kohën që shpenzoni për secilin prej tyre.
Që të mos ju mungojë aktiviteti, është mirë që të përpiloni lista të detyrave që duhet t’i përfundoni, ndiqni vazhdimisht e-mailat dhe mesazhet që pranoni nga bashkëpunëtorët tuaj, si dhe të regjistroni aktivitete në sistemin e kompanisë.
Nuk ka dyshim se aftësitë e lartpërmendura janë të nevojshme për t’u treguar në çdo vend pune, por ato janë absolutisht thelbësore kur aplikoni për punë në distancë. Sigurohuni që t’i zhvilloni këto aftësi në mënyrë që të jeni kandidati/ja potencial/e kur aplikoni për punë në distancë./AkademiPune
/TV Malisheva