Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e Asociacionit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Ky vendim u mor në mbledhjen e ENQA-s më 19 shtator.

KALLXO.com ka siguruar letrën që i është dërguar Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Agjencisë për Akreditim, Avni Gashi.

Në letër ai njoftohet se anëtarësia e Kosovës në këtë organizatë nuk do të vazhdohet.

Në letër janë listuar disa arsye për të cilat, bordi i ENQA-s mori këtë vendim dhe ku thuhet se se Agjencia nuk i ka përmbushur rregullat europiane.

Këto arsye përfshijnë “mungesën e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e agjencisë”.

Tutje, ata përmendin mungesën e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA

ENQA ka dhënë disa rekomandime për Agjencinë e Akreditimit që përfshijnë metodologjinë e veprimit, përfshirjen e studentëve dhe pavarësinë e veprimit.

Pas kritikave ata kanë përgëzuar këtë agjenci për mundin e bërë në përcjelljen e standardeve europiane dhe i kanë inkurajuar të vazhdojnë përpjekjet.

Më 19 prill të vitit 2018, Agjencisë Kosovare të Akreditimit i ishte degraduar statusi brenda ENQA-s nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.

Në shkurt të po atij viti një organizatë ndërkombëtare, ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), e kishte përjashtuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit nga anëtarësia për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë me kërkesë të Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

AKA ka të drejtë të riaplikojë pas dy vitesh për rianëtarësim.

Drejtori i Agjencisë nuk ka qenë i qasshëm për një koment të menjëhershëm

Share.