Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.
Ky çmim për javën e 16-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit te Malisheva, Agon Xhaka.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Selatin Jerliu, Isuf Llumnica, Naim Kodraliu.
Ky komision vlerësoi që Xhaka përveçse shënoi golin e fitores në ndeshjen e rëndësishme dhe të vështirë me Llapin, pati paraqitje të mirë gjatë gjithë lojës.
Pasi mori këtë çmim Xhaka u shpreh i lumtur për fitoren dhe për vlerësimin si më i miri i xhiros.
“Ndeshja ka qenë një sfidë e vështirë, pasi kishim përballë një kundërshtar të fortë. Por me punë, angazhim, disciplinë dhe me detyrat që na ka dhënë trajneri, arritëm të fitonim”.
“Shpresoj që kjo fitore të jetë një hap shtesë, që edhe në ndeshjen e ardhshme të marrim 3 pikë. Është një ndjenjë e veçantë të jem i nderuar si ylli i javës, si dhe një motiv shtesë për të punuar më shumë”.
“Ky çmim shkon si një falënderim për klubin e Malishevës dhe bashkëlojtarët që kanë kontribuar që unë sot të jem ylli i javës. Ne do të luftojmë edhe në ndeshjen e ardhshme në të njëjtën mënyrë, që të marrim 3 pikë dhe të vazhdojmë drejt objektivave të klubit”, tha Agon Xhaka për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/
/TV Malisheva