Përshtypje e vlerësime për librin, “Për ju o breza që ngritet Atdheun mbi supe” të ushtarakut, shkrimtarit e publicistit, Halil Katana

Këngëtari emblematik i këngëve të Rugovës, Dukagjinit dhe i trojeve…, Shaban Demaj

Kënga burimore shqiptare, në krahinat ende të shkapërderdhura të Shqipërisë, ka ruajtur kujtesën historike të së  kaluarës, për rëniet e ngritjet  gjatë shekujve. Ajo   ka shënuar faktorin kohë, duke e ilustruar me ngjarjet e caktuara historike, me bëmat, kryengritjet popullore, pastaj rrëfimet e trashëguara nga brezi në brez. Kënga ka ruajtur dhe ka sjellë deri në ditët tona që nga koha e lashtë homerik, në formë të përcjelljes dhe ruajtjes së traditës të rrëfimtarisë popullore kujtesën,  e cila ka mbijetuar shekujt  dhe ka restauruar  tërë koloritin e vet, duke radhitur ngjarje e ndodhi të  shekujve në parakalim. Kënga shqipe e lashtësisë, mjaft e pasur me elemente homerike përben një pjesë të shprehur të totalitetit të botës shpirtërore shqiptare, e cila ka arritur deri në ditët tona sidomos me këngën burimore, këngën e këngëve të rapsodëve të njohur nga e kaluara deri në ditët tona të cilët nuk i kanë  munguar asnjëherë popullit tonë.

Shaban Demaj është këngëtar i veçantë dhe mjaft i talentuar i lirikës dhe epikës të këngës së trevës së Rugovës, po jo vetëm  i asaj. Ai  shquhet për komponentë të muzikës, veçmas të rajonit antik dhe ndër shekuj heroik, ku epika korrespondon me këngën e moçme homerike, me këngët kreshnike e legjendare, duke rëndur  ndër shekuj  e duke ardhur shqim deri  në këngën çlirimtare të kohës sonë, këngën me jehonë pushke e erë baroti  të trimëreshave e trimave të UÇK-së, këngë për dëshmorët e heronjtë e kohës sonë, sikur janë dëshmorët: Selman Lajçi, Besnik Lajçi, Tahir Shala, Ramush Lajçi, Blerim Bekim Kelmendi,  Dëshmorët e Rugovës, ata të kohëve historike të Sadri Bajrit, Ali Pashë Gucisë dhe këta të luftës së heroizmit të legjendarit, Adem Jashari me bashkëluftëtarë.

E veçanta e këndimit të këngëtarit, Shaban Demaj, është qasja autentike me të cilën ai i referohet këngës, duke e formësuar dhe duke e ngjeshur me shumë komponentë autentikë, duke ruajtur në radhë të parë jehonën historike të këngës së Rugovës dhe duke e njëzuar atë me këngën e Dukagjinit, në të cilën janë përshtresuar elementë autentikë muzikorë që nga koha e Bizantit e deri në ditë tona.  Jo rastësisht shumica e këngëve të këtij këngëtari fillojnë me tingujt e përmallshëm të lahutës për të vazhduar me drithërimin elektrizuese të  telave të çiftelisë dhe tonet e lartë e të harmonishëm të sharkisë, deri te orkestrina e begatshme me instrumente të shumtë.

Këngëtari, Shaban Demaj,  ka kapacitete të pasura të fonetikës së këndimit origjinal, të pasur e  të pastër, ashtu si ata tingujt natyrorë të gurrave malore shekullore, ashtu si ato të ujëvarave e lumenjve të rrëpijshëm, të njëtrajtshëm e herë gurgullues,  nën jehonën e lahutës vajtimtare, por edhe të shpërthimit të epikës heroike. Ai ka  një zë me nuanca shumë të pasura të shtrirjes e të përhapjes  së vokalit karakteristik në vargjet e ritmikës muzikore, me një fuqi të pashtershme të zërit që del nga kordat dhe bronket e   fuqishme, gjithnjë mobile.

Në këngët e këtij këngëtari të mirënjohur, me karakteristika të këndimit të Rugovës e të Dukagjinit, por jo vetëm të këtyre trevave, pastaj të paraqitjes me dinjitet   para publikut  me veshjen tradicionale rugoviane, të kohës ilire dardane, me një segment të Lindjes së lashtë, me zërin e malësorit të bashkërenduar në epoka  dhe rrethana të zhvillimit historik,  është begatuar muzika jonë tradicionale, të cilën jo me të drejtë e trajtojmë si muzikë folklorike, duke e përkufizuar si muzikë fshati e ode, nga e cila realisht ajo edhe ka buruar, por nuk ka mbetur më në fshat,  as në odat tona historike, por është e pranishme në odat e reja ornamentale,  që   kthejnë në kujtesë kullat e dikurshme të lashtësisë. Kënga burimore folklorike tanimë këndohet në Salla koncertesh, në Akademi përkujtimore, nëpër festivale e organizime të nivelit kombëtar e më gjerë.

Ajo është kënga që shënon epokën tonë, epokën e lirisë, epokën e luftës sonë çlirimtare e fitimtare, është kënga që ka dalë nga shpirti i popullit dhe jo nga akademitë muzikore, por origjinaliteti i formësuar nga shekulli në shekull gjatë epokave dhe i përcjellë nga brezi në brez deri në ditët tona e ka bërë të vetën dhe e ka përjetësuar me kohë.

Shaban Demaj këndon me përkushtim dhe është zotërues, përvetësues  e përjetues i këngës, në të njëjtën kohë. Ai nuk këndon përmendsh, sikur bëjnë jo pak këngëtarë, por këndon me thellësinë e qenies, duke vënë në vend të vet çdo tingull në rrokje, çdo rrokje në fjalë, çdo fjalë në fjali,  në strofa e  në vargjet korrespondente të metrikës sonë të pasur me strofa të rimuara dhe me vargje të zgjedhura, sidomos për këngët që iu kushtohen dëshmorëve, pavarësish kush i shkruan e kush i këndon ato. Kënga e tij të përvetëson magjishëm, për ta dëgjuar gojëhapur.

Dhe, për një këndim të tillë sikur këndon, Shaban Demaj me disa këngëtarë të tjerë të radhëve të para, duhet pasur  kujdes maksimal për zotërimin e  saj nga të gjitha segmentet, sikur janë përkushtimi, dashuria e veçantë  për secilën këngë veç e veç, përjetimi i saj gjatë këndimit, me elementë të caktuar nga ato të përbashkëta, sikur është kompozimi, melodia dhe ato të veçantat e tjera  sikur është qasja dalluese nga të tjerat, ose me disa dallime karakteristike. Këto veçanti janë individuale dhe rrallëherë i gjemë të gjitha bashkë,  te një këngëtar apo këngëtare. Jo të gjithë këngëtarët i disponojnë këto vlera.  Disa prej tyre i kanë vlera të lindura e të trashëguara, disa të mësuara e të fituara, disa nga ata i disponojnë të dyja tok.

Shaban Demaj, Rifat Berisha, Besim Avdyli, Nimon Mushkolaj, Bashkim Sylaj, Mehdi Berisha, Shkodran Shala,  Fatmir Miroci, Martin Gojani, Januz Mushkolaj, Xhavit Hykasmoni, Mustafë Ramaj, Cenë Vishaj, Zeqë Kuçi, Bekë Nikçi, Nezir Gjocaj, Vëllezërit Çetaj e këngëtarë të tjerë të trevës muzikore të Dukagjinit, janë emra të përveçëm të këngës shqipe të kësaj ane, të cilët në të njëjtën kohë ruajnë dhe restaurojnë muzikën tradicionale shqiptare, epike heroike e lirike, me repertorin e pasur dhe të larmishëm të këngëve të të gjitha motiveve.

Këngëtarët popullorë, sidomos të kohës së pas luftës, veçmas  me këngët e tyre të kënduara për dëshmorët e martirët, për ndodhitë legjendare e historike të së kaluarës, janë bërë shtylla e diga  të pathyeshme kundër tallavasë degjeneruese, kundër këndimet të këngëve sllave, turke e greke me fjalë shqipe, kundër përpjekjes së globalizmit kapitalist për ta shpërlarë memorien kombëtare, me përpjekje që me këngë të shprehet  vetëm dashuria, sidomos ajo perverse dhe e panatyrshme, me përpjekje, që traditat e veçantitë kombëtare të shuhen dhe t’ i nënshtrohen globalizmit muzikor me paraqitje  majmune,  jo vetëm me grimasa e tinguj të çakorduar, por  me performime lakuriqe e gjysmë lakuriqe, me përdorim të drogës gjatë këndimit dhe tërë një paraqitje perverse që fyen moralin njerëzor e kombëtar.

Rikthimi me këngën e popullit, me këngën e trimërisë e historisë, me amanetin e atyre këngëve, po i përballon me sukses çoroditjes muzikore, e cila  edhe pse financohet pa revervë  nga qarqe të caktuara, me përpjekje për ta dominuar këngën e popullit, sidomos nga rinia, kjo nuk po arrihet, falë këngëtarëve dhe grupeve të shumta të muzikës burimore popullore, trashëgimi e artë e popullit,  e cila po i mbijeton kohës, ashtu sikur i ka mbijetuar me sukses muzikës së dikurshme me temjan të bizantit, turkut, sllavit, grekut e sot asaj që shpërndahet me tym e mjegullnajë nga vendet e ndryshme të botës, nga kiçi, tallavaja, muzika e çakorduar dhe e degjeneruar.

Share.