Kënga burimore shqiptare, kudo në krahinat ende të shkapërderdhura të Shqipërisë, ka ruajtur nostalgjinë për të kaluarën, për rëniet e ngritjet gjatë shekujve, ka shënuar faktorin kohë, duke e ilustruar me ngjarjet e caktuara historike që është ilustruar me bëmat, pastaj rrëfimet e trashëguara nga brezi në brez dhe me këto, ajo ka ruajtur dhe ka sjellë deri në ditët tona këngëtimin e lashtë homerik, formë e përcjelljes dhe ruajtjes së traditës të rrëfimtarisë popullore, e cila ka mbijetuar shekujt dhe ka restauruar tërë koloritin e vet, duke radhitur shekujt në parakalim. Kënga shqipe e lashtësisë, mjaft e pasur me elemente homerike përben një pjesë të shprehur të totalitetit të botës shpirtërore shqiptare.
Rapsodët, eodët e dikurshëm të antikitetit, me memorien e tyre të pasur, si askush tjetër kanë sjellë nëpër shekuj bëmat, luftërat, trimëritë, sakrificat individuale e kolektive…. Janë të njohura disa motive mitike e legjendare të cilat kanë analogji me Homeriadën, por që në jashtësi gjatë shekujve i ka vdjerrë koha me rastin e apostazës fetare, mirëpo në brendi kanë ngelur elementet qenësore arkaike, të cilat për mrekulli kanë arritur edhe kohën tonë.
“Kënga majekrahu”, kënga e përcjellë me lahutë, pastaj këndimi polifonik në trevat jugore dikur të Ilirisë, tani të Shqipërisë, veglat popullore nga okarina e lashtë e deri të instrumentet e kohës së vonë, përbëjnë një tërësi një organicum tipik: ilir, arbëshesh shqiptar, (ILARSH) një trinitet etnografik, entokuluror dhe entopsikologjik.
Shqiptari i sotëm ka ruajtur shumicën e karakteristikave arkaike, të etnosit, madje shumë më tepër sesa kanë ruajtur grekët apo ardhacakët sllavë, të cilët kishin pushtuar këto troje në shekujt e shtatë dhe të tetë të epokës sonë. Natyrisht se në një masë ka ushtruar ndikim edhe përzierja etnike, e cila është karakteristikë e veçantë për popujt e Ballkanit, të cilët kanë qenë kurdoherë në ballë të ndeshjeve të perandorive më të mëdha të botës, si ajo romake e bizantine, më vonë turke e evropiane. Në këto ndeshje, në këto katrahura njerëzore më së shumti ka pësuar Iliria paqësore, e cila dikur shtrihej në tërë Ballkanin e deri në fushat e Panonisë e tutje drejt veriut.
Duke qenë përcjellës së traditës me këngë e rrëfime të pashkruara, ilirët e lashtë duket se i përmbaheshin traditës së farisenjëve, të cilët i përmbaheshin rigorizisht traditës gojore të ruajtjes dhe interpretimit me mbamendje, meqë fjala e gjallë nuk linte gjurmë për ndjekje penale nga pushtuesi, ndërsa fjala e shkruar ishte dëshmi, e cila nuk mund të injorohej. Po ashtu fjala e shkruar në libër mund të digjej sikur edhe ishte djegur sidomos në kohën e inkuizicionit, por edhe më herët e më vonë, ndërsa fjala e gjallë përcillej nga brezi në brez dhe nuk mund të digjej as mund të ndiqej aq shumë penalisht. ( Talmudi, parathënia e Eugjen Veberit, faqe 23-24, Beograd 1990.)
Dëshmia më e mirë për këtë qytetërim të memories të ruajtjes së traditës së lashtë është “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, i koduar që nga lashtësia dhe mjaft i përafërt me Kodin e lashtësisë së lindjes, “Manava Dharmasastra” dhe i pashkruar deri në vitin 1933, kur e kodifikoi dhe e botoi, At Shtjefën Gjeçovi.
Këngëtarët popullorë, eodët e lashtë dhe rapsodët më të vonë, nga shekulli në shekull kanë përcjellë këngën epike dhe heroike, këngën e mallit dhe të dashurisë, këngën historike dhe atë të trimërisë, duke ruajtur shumë elementë arkaikë, por edhe duke i ndajshtënë elementë të caktuar të kohës së tyre si dhe të ndikimeve që kanë qenë të paevitueshme, por nuk kanë prekur bazamentin e autoktonisë.
Duke jetuar në kohë dhe hapësirë të caktuar, eodët shqiptarë kanë mbetur anonimë, meqë si përcjellës së traditës ata e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë veten si interpretues dhe jo autorë të këngëve, madje edhe kur janë autorë.
Kjo traditë ka arritur deri në ditët tona dhe këtu qëndron bazamenti i ruajtjes së botës autentike shpirtërore shqiptare si një tërësi e ruajtjes së begatisë krijuese kolektive, duke u identifikuar me të dhe duke u bërë pjesë e saj.
Këngëtarët popullorë shqiptarë, sidomos në dy shekujt e fundit të historisë sonë, kanë qenë ruajtësit dhe restauruesit me besnikë të traditës së këndimit shqip, kanë qenë krijues anonimë që kanë shënuar çdo ngjarje qoftë të rëndësisë së përgjithshme kolektive, qoftë asaj individuale, të shtrirë në sinkroni dhe diakroni, në kohë dhe hapësirë.
Pavarësisht se në dy shekujt e fundit nuk janë shënuar një pjesë e madhe e emrave të rapsodëve, ruajtja e këngëve të personaliteteve me rëndësi të përgjithshme kombëtare, a në shtrirjen etnike gjeografike, zbulon kohën dhe hapësirën kur janë kënduar këto këngë.
Më e vjetra nga këto është kënga epike heroike e Musës dhe Halilit, apo e Halil Patronës dhe Musa Beshit, që duhet të jetë kënduar për herë të parë në decenien e tretë të shekullit të 18-të.
Kënga e krijuar nga dervishët shqiptarë, kryengritjen e Halil Patronës dhe jeniçerëve shqiptarë në Yskudar të Stambollit kundër Sulltan Ahmeti të Tretë dhe kapudan Avdi Pashës, më 28 shtator të vitit 173, e ka lokalizuar si këngë rajonale të dy trimave nga Kosova, të cilët i zë pabesisht miku i tyre Avdi Pasha në Shkodër dhe ua heq kokat.
300 sejmenët që shkojnë zbathur, për të kapur dy trima që Dovleti u kërkonte kokat, ishin 300 ushtarët e kapudan Avdi Pashës që e rrethojnë Halilin e Musën me 25 luftëtarët e tyre dhe ua presin kokat në nëntor të vitit 1730. Ngjarja nga Ysydari i Stambollit vendoset në Shkodër, flota e detit Marmara, “vendoset” në Mramor të Prishtinës, ku supozohej të kishte qenë vendlindja e tyre duke e zhveshur historinë madhore perandorake dhe duke e përshtatur atë në një histori rajonale, krahinore.
Po bëhen gati dy shekuj kur kanë filluar të shtrihen e të këndohen në të gjitha viset e Shqipërisë së katër vilajeteve këngët për Ali Pashë Tepelenës, heroit kombëtar të shqiptarëve që kishte përballuar tri perandoritë më të mëdha të kohës, Perandorinë turke të Sulltan Mahmudit të Dytë, atë Ruse të Nikollajit dhe Perandorinë e Napoleon Bonapartës.
Duke qenë personalitet i rangut botëror, vepra e bëmat e tij, trimëria, zgjuarsia, shpirti i sakrificës, shprehës i forcës së papërmbajtur, të cilit padrejtësisht iu kanë përshkruar edhe mizori, edhe pse mizoritë e tij në krahasim me ato të tre perandorëve bashkëkohës ishin krejt minore, figura e Ali Pashait në këngën historike të trimërisë del me tërë madhështinë që e kanë përshkruar jo vetëm kronistë e kohës por edhe enciklopeditë më të njohura dhe më me renome të rruzullit.
Në variantet e kësaj kënge të kënduar shumë herët në Kosovë të cilat këndohen edhe sot e kësaj dite, rapsodët popullorë kanë zgjedhur fjalët më poetike e artistike, kanë përzgjedhur krahasimet e metaforat më të goditura duke i vënë në pah, trimërinë, përpjekjet për t’i bërë bashkë toskët e gegët, luftën e tij të lavdishme në tri fronte, rezistencën me të cilën mbetej gojëhapur jo vetëm Stambolli por edhe tërë Evropa dhe strategjinë e tij ushtarake mbi nivelin e strategëve më të njohur të kohës.
Lum kalaja kënd ka brenda
Ali Pashën me shtatë zemra.
Ç’ ka kalaja po gjëmon,
Ali Pasha po lufton.
Ç’ ka kalaja që po dridhet,
Ali Pasha gjallë, nuk lidhet,
Ali Pasha burrë n’ opanga
Po lufton ma mirë se Fana. 1)
Ali Pasha i Tepelenit
E ka atin e sylejbenit. 2)
Kjo Kalaja përballë gjolit, 3)
Karshillak po i ban Stambollit,
Kjo kalaja bregut t detit,
Karshillak i çon Dovletit. 4
Ali Pasha trim si zana
Po lufton ma mirë se Fana,
në variante edhe:
Ali Pasha në opanga,
Po lufton ma mire se Fana.
Ali Pasha burrë n’ tagana,
Luftë po ban ma mirë se Fana.
1. Frengu,
2. zbukurime orientale
3. Liqeri
4 Pushteti
Të hanën kur topi krisi,
Të hanën kur topi krisi,
Ja dha kalasë anë për anë,
Mbreti pashallarët i nisi,
Mbi vezir, Ali pashanë.
Ali pasha i ngratë,
lufton ditë e natë,
Ali Pashë Berati,
po i luftojke ati,
Bini gegë e bini!
Se ju trima jini!
Bini toskë e gegë!
fishekë ju hapë vetë!
24 pashallarë ( në variante edhe 44 pashallarë)
Donë me i hy kalasë përmrena,
Ali Pasha dul i parë,
Ali Pasha, Tepelena.
Ali Pashë Berati,
Po i luftojke ati,
Ali Pashë Terhalla,
Nuk po i hajke palla.
Bini gegë e bini!
Se ju trima jini!
Bini toskë e gegë!
Fishekë ju jap vetë!
Duro top, duro havana,
Oj kalaja me bedena,
Luftë po ban me Padishah,
Ali Pasha, Tapelena.
Ali pasha trimi,
prej goje po i del tymi.
Ali Pasha jonë,
Lufton si e ka zakon.
Bini gegë e bini!
Gjithmonë trima jini!
Bini toskë e gegë!
Fishekë ju jap vetë!
(Bini toskë e gegë,
Për Atdhe me vdekë)
Ku je ti Sulltan Mahmudi,
Ti murtati i osmanlisë?
Se mue m thonë Ali Baruti
Du me vdekun, në Janinë.
Ali pashë Berati,
Po të luftojke ati,
Ali Pashë Tërhalla,
Nuk po t’ hajke palla,
Bini toskë e gegë!
Fishekë ju jap vetë!
(në variante)
Bini toskë e gegë!
Për atdhe me vdekë.