Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka adresuar kritika për vonesë të masave për luftimin e infeksionit koronavirus, duke thënë se Qeveria duhet të kalojë në planin B, ku ndër tjerash, duhet të ketë vaksinim masiv dhe ndalim në hapësira të mbyllura publike për personat e pa vaksinuar.
Ai në një postim në Facebook ka thënë, se edhe po të dhjetëfishohet numri i inspektorëve, sikurse paralajmëroi kryeministri Albin Kurti, tashmë koronavirusi e ka bërë të veten dhe tani duhet të merremi me pasojat.
Sipas tij, tash Qeveria duhet të kalojë në planin B, i cili duhet të përfshijë tetë masa për dalje nga gjendja e krijuar./TV Malisheva
Postimi i plotë:
E sjellim e pështjellim si të dëshirojmë, e vërteta është se nuk kemi mjaftueshëm vaksina dhe kjo duhet të pranohet. Nuk ka terminë sa ka kërkesa.
Masat janë të vonuara dhe edhe po të dhjetëfishohet numri i inspektorëve e vërteta është se virusi e ka bërë të vetën dhe tani duhet të merremi me pasojat. Virusi nuk shpërndahet vetëm pas orës 22:00.
Tani duhet të kalojmë në planin B:
1. spitalet mobile apo spitalet covid për fluksin e pacientëve
2. mbyllje më e rreptë dy javore me ndalim qarkullimi – paralel me grante për biznese
3 pezullim të procedurave të prokurimit për nevoja shëndetësore – teste, vaksina, oksigjen, barna e krevate
4. staf shëndetësor shtesë me kontrata të përkohshme
5. Ministria e Punëve të Jashtme ose ndonjë i deleguar special nuk duhet t’i zbresë aeroplanit në kërkesa për ndihmë për vaksina
6. pas sigurimit të dozave të mjaftueshme, vaksinim masiv
7. hapje graduale me ndalesa me izolim për të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike
8. ndalesë për hyrje në hapësira të mbyllura publike për ata që nuk janë të vaksinuar
Covid task force me përfaqësim të institucioneve tjera, profesionistë dhe përfaqësim të Asociacionit të Komunave. Pezullim i çfarëdo aktiviteti tjetër publik që nuk është esencial.
Tani jemi në fazën kur duhet shpëtuar çka mund të shpëtojmë. Çfarëdo makiazhi e zbukurimi nuk ec. Kërkoni ndihmë. Nuk është marre. Nuk besoj se ndonjë qeveri tjetër e jona do të performonte shumë më mirë. Marre është të vdesin njerëzit në ditët kur ekziston vaksina.
P.s. Si gjithmonë falënderim pa rezervë për stafin shëndetësor. Me kushtet që keni po jepni maksimumin.