Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka deklaruar se Kosova duhet domosdo të ulet në tavolinë me palën serbe.
Në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, ai ka thënë se problemet mes Kosovës dhe Serbisë nuk zgjidhen pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve e sidomos të SHBA-së.
Duke folur rreth rrezikut të ndarjes së Maqedonisë Veriore, nëse do të ketë lëvizje të kufijve Kosovë-Serbi në marrëveshjen finale, Ahmeti tha se nuk ekziston një rrezik i tillë, pasi që Shkupi zyrtar është pjesë e NATO-s.
“Marrëveshja Prishtinë Beograd është shumëfish më e vështirë se sa çështja e emrit në kontestin Maqedoni-Greqi. Çdo marrëveshje që arrihet në këto situata do të kritikohet nga një pjesë e njerëzve. Nuk ka marrëveshje pa kompromis. Shkencërisht është e vërtetuar se kompromisi është gjëja më e mirë. Duhet të shikohet se cila është zgjidhja më pak e dhimbshme. Jam për arritjen e marrëveshjes, jo për ndryshim kufijsh, por kjo do të varet nga negociatat. SHBA janë të interesuara ta përmbyllin procesin e dialogut. Unë i besoj SHBA-së pa rezervë. Ato gjithnjë i qëndrojnë fjalë që kanë dhënë. Edhe kosovarët duhet t’i besojë SHBA-së”, është shprehur ai./ Tv Malisheva