Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka pritur sot në takim ambasadorin e Spanjës në Shkup Jose Luis Lozano Garcia, duke u shprehur i gatshëm për një bashkëpunim të afërt dhe duke i dëshiruar sukses në detyrën e re.
Gjatë takimit është vlerësuar lartë miqësia shumë vjeçare dhe raportet dypalëshe mes dy vendeve si dhe vullneti i hapur për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin në integrimin, por edhe sferën e ekonomisë.
Zhvillimet e fundit politike në vend si dhe negociatat për kontestin me Republikën e Bullgarisë gjithashtu ishin pjesë e bisedës në këtë takim.
Ahmeti dhe Garcia kanë konstatuar se zgjedhjet për momentin nuk janë zgjidhje pasi që vendi është duke ecur përpara dhe se nuk duhet bllokuar proceset integruese dhe zgjidhja e të gjitha kontesteve me vendet fqinje është pozitive për Maqedoninë Veriore në anëtarësimin te familja e madhe evropiane.
Ahmeti ka informuar ambasadorin spanjoll Garcia për energjinë dhe dinamikën e re të bisedimeve për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, për vizitat në Shkup dhe Sofje, vendosja e dialogut dhe planin aksional të grupeve të punës dhe vullnetit të mirë politik për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe të pranuara nga të dy palët.
Ahmeti dhe Garcia kanë konstatuar se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të vazhdojë në frymë të mirëkuptimit derisa përkrahja për vendin në rrugën drejt integrimit evropian nuk duhet të ndalojë deri në arritjen e qëllimit final./TV Malisheva