Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve numër 53 përmes metodës së likuidimit shpalli çmimet më të larta të ofruara për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Për 120 asete sa ishin në shitje konkurruan 119 ofertues, ndërsa vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 4,864,330 euro.
Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm.
AKP është organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve investitorëve private-blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.