Një aksident i rëndë ka ndodhur në mesditën e sotme në fshatin Fshaj të Gjakovës, ku si pasojë ka humbur jetën viktima femër e moshës 71 vjeçare.
Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë në Gjakovë ka njoftuar se rreth orës 13:15 ka ndodhur aksident trafiku në fshatin Fshaj-Gjakovë (rruga Gjakovë-Prizren).
“Të përfshirë në aksident kanë qenë një veturë dhe një kamion ku për pasojë përveç dëmeve materiale, katër persona kanë pësuar lëndime trupore, njeri nga të cilët (viktima femër, rreth 71 vjeçare) ka ndërruar jetë. Personeli mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë ka konstatuar vdekjen e saj. Rasti është duke u trajtuar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor”, tha ai.
Gjendja e dy personave ka qenë stabile dhe janë liruar për në shtëpi. Kurse, i lënduari i tretë, gjendet në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Gjakovës dhe është në gjendje stabile.
/TV Malisheva