Pas raportimit të rasteve të fundit të aksidenteve me fatalitet në trafikun rrugor, Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, përmes së cilës ka apeluar për kujdes dhe vigjilencë të shtuar në funksion të parandalimit të rasteve të tilla tragjike. Ndërkohë që ka paralajmëruar se do të aplikohen masa rigoroze ligjore ndaj të gjithë personave që shkelin ligjin në trafik

Në komunikatën e policisë këkrohet mga drejtuesit e automjeteve që të përshtasin shpejtësinë pasi që siç thuhet aty, reshjet e shiut krijojnë vështirësi në trafikun rrugor dhe potencialisht edhe rrugë të rrëshqitshme.

“Referuar aksidenteve fatale të raportuara deri tani, përfshirë aksidentin e djeshëm me datë 26.12.2021, ndërmjet një veture dhe një kamioni, në rajonin e Pejës, ku humbën jetën dy persona meshkuj kosovar dhe aksidentin e shkaktuar sot më 27.12.2021 në rajonin e Ferizajt, ku dyshohet se për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve në rrugë vozitësi e humb kontrollin mbi automjet dhe godet një shtyllë elektrike të betonit, ku jetën ka humbur një person i gjinisë femërore (pasagjere), Policia e Kosovës kërkon kujdes dhe vigjilencë të shtuar në trafik”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë së Kosovës, kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanerisht drejtuesve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet në përgjithësi, e në veçanti këto me humbje të jetëve njerëzore.

“Reshjet e shiut krijojnë vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, prandaj Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent”, thuhet aty.

Policia e Kosovës ka apeluar edhe për respektimin e disa masave tjera, ndërkohë që ka paralajmëruar zero tolerancë për shkelësit e tyre:

Mos drejtoni automjetin kur jeni të lodhur apo pa gjumë dhe mos të vozitni nën ndikimin e alkoolit,

Përdorimi i telefonave mobil gjatë vozitjes vlerësohet të jetë mjaft i rrezikshëm dhe ndalohet rreptësishtë gjatë drejtimit të automjetit.

Policia e Kosovës me njësitet e saj po ndërmerr dhe do të ndërmerr masa rigoroze ligjore ndaj të gjithë pjesëmarrësve në rrugë që shkelin Ligjin e trafikut dhe zero tolerancë do të aplikohet ndaj tyre, me të vetmin qëllim që të kemi sa më pak humbje të jetëve njerëzore./TV Malisheva

Share.