Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ka marrë vendim për hapjen e hetimeve lidhur me aksidentin fatal mes dy paragllajdistëve në fshatin Korishë të Prizrenit, pasditen e 19 korrikut, si pasojë e të cilit vdiq 27-vjeçari nga Komuna e Vushtrrisë, Fatos Gërxhaliu.

Vendimi i cili u nënshkrua nga kryesuesi i këtij komisioni, Mirsim Beqiri, ka emëruar hetuesin e KHAIA-së, Arben Gashin, si hetues përgjegjës lidhur me këtë rast.

“I emëruari sipas nevojës mund të përdorë të gjitha kapacitet dhe koordinimin me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke u bazuar në Legjislacionin në fuqi për realizimin e këtij hetimi”, thuhet në vendim.

Gashi obligohet që të përgatisë një raport të detajuar lidhur me këtë rast.

KHAIA kishte paralajmëruar hapjen e hetimeve lidhur me këtë aksident më 20 korrik, kur njoftoi për vdekjes e Gërxhaliut dhe lëndimin e 23-vjeçares, Jona Gegaj.

“Ekipet kujdestare të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkërisht me njësitë rajonale të Policisë së Kosovës në Prizren dhe kanë ekzaminuar provat në terren. KHAIA do të hap hetime për këtë rast dhe Raporti përfundimtar i cili do të përfshijë rekomandimet do t’i dërgohet Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të KHAIA-së./Tv Malisheva

Share.