Gjatë operacionit të sotëm policor në Karaçevë janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 96 aparate të lojërave të fatit, 4 shtëpiza kompjuterike, 3 llaptop , 3 monitorë, dy televizione që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me 17 fishekë, një gjenerator si dhe një shumë e konsiderueshme e parave.
Kështu konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili jep detaje nga aksioni i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore që u nisi në orët e hershme të mëngjesit në fshatin e Kamenicës.
“Ka rezultuar me dy persona të arrestuar të cilëve njëkohësisht me vendim të Prokurorit të Shtetit iu janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet në te cilat është dyshuar se janë duke u zhvilluar veprimtari kriminale, bixhoz i paligjshëm. Me këtë rast gjatë kontrollit në këto objekte janë gjetur 96 aparate të ndryshme, te cilat dyshohet se kanë shërbyer për lojëra të fatit, televizorë, shtëpiza të kompjuterit, pistoletë e llojit Ekol me 17 copa fishekë dhe një sasi e të hollave mbi katër mijë euro. Të gjitha këto mjete janë konfiskuar si prova materiale, gjersa aparatet janë dërguar Doganën e Kosovës për veprime të mëtutjeshme”, thotë ai për KosovaPress.
Në fshatin Karaçevë të Kamenicës, përveç dy personave të arrestuar, Policia po kërkon edhe disa të tjerë.
“Policia e Kosovës vazhdon të jetë në kërkim edhe të disa personave të tjerë që kanë qenë të paqasshëm në momentin kur ne i kemi kërkuar. Ndërsa janë të njohur për ne”, shton ai
Kjo është hera e dytë, ku rrënohen veprimtari ilegale në Karaçevë.
Në aksionin e vitit të kaluar ishin rrënuar 12 objekte që ushtronin veprimtarinë e lojërave të fatit. Tashmë janë ngritur më shumë se 70 kallëzime penale për këtë rast. /TV Malisheva