Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, pas hetimeve të zhvilluara ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit D.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi“ nga neni 404 par. 1, dhe “Sulmi“ nga neni 184 par. 3 nën par. 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri, me datë 29 maj 2023 dhe me 31 maj 2023, në Zveçan, me dashje, ka marrë pjesë në turmën e mbledhur të personave, të cilët me veprimet e tyre ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm, ashtu që, derisa persona të maskuar ishin duke e sulmuar veturën e Policisë së Kosovës, i pandehuri së bashku me persona tjerë kanë sulmuar gazetarin e mediumit RTV-21 B.Z., policët e Kosovës, dhe gazetarët e tjerë që ishin prezentë.
Gjithashtu, me datë 31.05.2023, në Zveçan, i pandehuri D.S., me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit – gazetarit të mediumit “RTV 21” B.Z., i motivuar në bazë të kombësisë, në atë mënyrë, që derisa i dëmtuari ishte duke i përcjellë protestat që zhvilloheshin nga komuniteti serb afër objektit të komunës së Zveçanit, dhe ishte një grup i protestuesve me maska të cilët nisen në drejtim të një veturë të Policisë së Kosovës, ku i dëmtuari niset në drejtim të tyre me qëllim të fotografimit dhe xhirimit, në ato momente një grup prej tre personave i kërkojnë të dëmtuarit që t’i fik pajisjet, dhe e fyejnë si dhe kërkojnë që të largohen ekipa e mediumit, ku në momentin që fillojnë të largohen, grupi i personave fillojnë ti ndjekin dhe gjatë largimit, i pandehuri përdor forcën ndaj të dëmtuarit – gazetarit B.Z., duke e goditur me grusht në bel në anën e djathtë.
Prokurori i Shtetit, në aktakuzë ka propozuar, që gjykata të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.
/TV Malisheva