Gjatë verës së vitit 1944, formacionet partizane që kaluan Shkumbinin kryen veprime intensive për marrjen nën kontroll të rajoneve të Veriut të Shqipërisë. Përveç luftimeve me formacionet gjermane që ishin në tërheqje, konstatohen ballafaqime të armatosura edhe me formacionet e xhandarmërisë, të cilat ndihmoheshin dhe nga fuqi vullnetare që ishin kundër depërtimin të formacioneve komuniste në rajonin e tyre. Mirdita mund të konsiderohet si krahina ku pati qëndresë aktive ndaj depërtimit komunist, kjo dhe falë qëndrimit të familjes së Markagjonëve dhe pasuesve të tyre.
Gjendja në Nënprefekturën e Mirditës
Gjatë periudhës së parë të verës së vitit 1944, gjendja e sigurisë publike në krahinën e Mirditës konsiderohej shumë e rënduar. Më 23 korrik 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë i dërgoi Zyrës Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, një informacion rezervat i posaçëm për situatën në Rrethin e Mirditës. Sipas këtij informacioni, rezulton se prej shumë muajsh në Nënprefekturën e Mirditës po ndodhnin vrasje për hakmarrje në proporcion aq të gjerë sa mund të thuhej se ishte duke u vënë në rrezik jeta vetë e asaj popullsie dhe në anën tjetër, si pasojë, vargu i kriminelëve po shtohej duke paraqitur rrezik të madh për sigurinë publike. Shumë herë ishte vënë në rrezik komunikacioni me Kosovën nga plaçkitja në rrugën Shkodër-Prizren të udhëtarëve dhe automjeteve. Me gjithë përpjekjet e armës së xhandarmërisë për ta ndaluar këtë gjendje, ose të paktën për të përmirësuar qetësinë në atë rajon, një gjë e tillë nuk kishte qenë e mundur të realizohej. Duke marrë parasysh shërbimet e shumta të xhandarmërisë, të krijuara nga gjendja e luftës, kjo armë nuk ishte në gjendje t’i vihej një ndërmarrjeje me veprime të gjëra në Nënprefekturën e Mirditës, sepse do t’i duhej të angazhonte fuqitë e saj që përdoreshin me shërbime që konsideroheshin më të rëndësishme për ndalimin e aktivitetit subversiv.
Duke pëlqyer edhe parashtrimet e Qarkkomandës së Xhandarmërisë së Shkodrës, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë propozonin se “do të ishte praktike dhe e dobishme për ndalimin e gjaqeve, si në Mirditë dhe në Malësi të Lezhës dhe të Pukës, lidhja e besës mbi bazën e Kanunit të Lekës”. Për t’i dalur me sukses një veprimi kësodore, siç dihej, ishte pjesa influente si pari vendi që duhej të merrnin iniciativën dhe një nga të parët ndër krerët e Mirditës ishte Gjon Marka Gjoni, Kapedani i Mirditës.
Në këto rrethana, në qoftë se pëlqehej ky propozim, autoritetet qendrore të xhandarmërisë u luteshin autoriteteve të Ministrisë së Brendshme që “të ngarkohej Shkëlqësia e Tij Mark Gon Markaj, Ministër i Kulturës Popullore, për të marrë iniciativën e kësaj vepre që do të ishte shpëtimi prej mjerimit i shumë familjeve”.
Autoritetet qendrore të xhandarmërisë kërkonin që t’u lajmërohej përfundimi, në mënyrë që të vinin në dijeni komandantin e Xhandarmërisë së Qarkut të Shkodrës. Në lidhje me problemin e relatuar, kryeministri Fiqri Dine, njëherësh dhe zëvendësisht ministër i Punëve të Brendshme, më 29 korrik 1944, vuri në dijeni Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë se Ministria e Brendshme do ta merrte në konsideratë sa parashtrohej në shkresën e tyre. Megjithëkëtë, kryeministri Dine theksonte se fuqia e xhandarmërisë së Qarkut të Shkodrës nuk ishte dhe aq e pakët dhe se duke e përdorur gjithë vullnetin e mirë dhe energjitë e saj mund të evitonte deri diku grabitjet, vjedhjet, thyerjen e rrugës e çdo akt tjetër sabotazhi në dëm të qetësisë publike. Për rrjedhojë, kërkohej nga autoritetet qendrore të xhandarmërisë që të urdhëronin edhe një herë vartësit e tyre në Qarkun e Shkodrës që të përdornin “çdo mjet ligjor mâ të rreptë për të bâ që të respektohen ligjet dhe të ndihet autoriteti shtetnuer”.
Hyrja e çetave komuniste në Mirditë
Me informacion Rezervat i Posaçëm të datës 10 gusht 1944, Rrethkomanda e Xhandarmërisë së Mirditës, njoftoi Qarkomandën e Shkodrës dhe Nënprefekturën e Mirditës se për shkak të manovrimit të disa çetave komuniste në rajonin e Matit dhe të Peshkopisë, që më datën 12 korrik 1944 fuqia e xhandarmërisë së këtij Rrethi ishte e mbledhur nën drejtimin personal të titullarit të Rrethit, kapiten Ndue Bajraktari, në kufijtë Mat, Lurë, Peshkopi për të mbrojtur kufirin e Mirditës. Postat përgjithësisht ishin lënë me nga 2 xhandarë, ashtu dhe qendra e Rrethit me një fuqi shumë të pakët dhe për këtë shkak, hëpërhë, ishte pezulluar pjesërisht shërbimi i institutit dhe ai administrativ i Armës së Xhandarmërisë.
Ballafaqimet e para me fuqitë komuniste u zhvilluan në komunat kufitare të Rrethit të Mirditës. Sipas informacioneve të datave 8 dhe 12 gusht 1944, të kryetarit të Komunës Selitë, Hysen Preni, drejtuar Nënprefekturës së Mirditës mbi gjendjen në këtë komunë, rezulton se populli i rajonit të Selitës qysh nga data 12 korrik 1944, të komanduar prej parisë së vjetër e prej bajraktarëve të vendit, ishin mbledhur dhe kishin dalë për të ruajtur kufijtë e rajonit të tyre prej çetave komuniste që po e mësynin, duke zënë vendet më me rëndësi të kufirit. Populli në fjalë, që kishte zënë vendet e sigurimit, dita–ditës kërkonin municion prej komandantëve të tyre, mirëpo nuk u erdhi, kështu që filluan duke u demoralizuar.
Mbasi rreziku ju largua rajonit të Selitës, një i derës së Gjomarkajt urdhëroi parinë që të qëndronin në roje të kufirit të Selitës vetëm 25 burra dhe të tjerët, deri në një thirrje të dytë, të rrinin gati ndër shtëpitë e tyre. Më datën 10 gusht 1944, çetat komuniste iu afruan përsëri kufirit të Selitës dhe u çuan fjalë burrave të katundit Gjoçaj se “a do t’i lente me kalue pa pushkë, apo me pushkë”. Këta kërkuan menjëherë një fuqi prej katundit Lekunde, por ata u përgjigjën se nuk kishin municion për të luftuar. Gjithashtu, edhe fshatrat e tjera, të demoralizuara nga mungesa e municionit, lajmëruan njëri-tjetrin se nuk ishin në gjendje të luftonin, sepse, nëse do të fillonin pushkën me këtë pakicë municioni që kishin, “nuk do të bënin gjë tjetër vetem kishin me shkaktue djegien e të gjitha katundeve mbarë, pse municion dhe ndihmë nuk do u vinte, megjithëse kishin kërkuar gjithmonë”. Mbas këtyre përpjekjeve, katundi Gjoçaj u kthyen përgjigje çetave komuniste duke u thënë se nuk do bënin pushkë. Personi që kishte shkuar për këtë fjalë tek çetat komuniste ishte mbajtur [peng] prej tyre.
Më 12 gusht 1944, çetat komuniste sulmuan krahun e katundit Kurbnesh, ku, mbas pak minutash lufte, fuqitë e krahut shtetëror u thyen dhe çetat komuniste zunë vendet: Qafë Merkurth, Kumull dhe një pjesë e Malit Didhe. Kryetari Preni sqaronte në këtë informim se demoralizimi i popullit kishte rrjedhur “vetëm prej mungesës së municionit dhe se gjoja mâ parë kishte marrun urdhër se kishte me u ardhë ndihmë prej Mirdite dhe municion i mjaftueshëm, por këto nuk erdhën”.
Në këto rrethana, shumica e popullit vendosën që të mos bëjnë më pushkë, mbasi nuk ishin në gjendje, por ishin të mejtimit që e gjithë djelmnija të mos dorëzohej në duar të çetave komuniste, por të rrinin të fshehur nëpër malet në mënyrë që, në rast se u vinte municion dhe ndonjë fuqi ndihme, të ishin gati për t’u riorganizuar.
Ndërkohë personeli i Komunës Selitë, “për të mos ngelur viktimë, përpara siguroi radhorët e popullsisë, të gjendjes civile, kontabilitetin dhe një pjesë t’arshivës ndër vende e njerëz të sigurtë” dhe me datën 12 gusht, në mbrëmje, u larguan duke u nisur për t’u paraqitë pranë Nënprefekturës së Mirditës (Shën Pal). Ndërsa sekretari i kësaj komune, Gjetë Bajraktari, që nga data 8 gusht 1944, kishte shkuar për në shtëpinë e vet në Fan. Më 14 gusht 1944, Nënprefektura e Mirditës informoi Prefekturën e Shkodrës për zhvillimet e mësipërme.
Me telegram rezervat, tepër urgjent, të datës 10 gusht 1944, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë informoi Ministrinë e Brendshme, mbi hyrjen e komunistëve në Lurë e Mat. Sipas informacioneve që përcillte Komiseria e Policisë së Shkodrës, rezultonte me siguri se fuqitë komuniste të ardhura nga Dibra kishin sulmuar Komunën e Lurës, që më 9 gusht, dhe kishin qenë vetëm gjysmë ore larg fuqisë së Mirditës, që ndodhej në Lajthizë. Edhe fuqia komuniste e Matit ishte në përgatitje për të sulmuar Kthellën. Deri më 9 gusht, komunistët në Mat kishin zënë pozicionet e mëparshme, me përjashtim të Macukullit, që nuk dihej mirë. Fuqia ekzakte e komunistëve nuk dihej. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ishte nevojë urgjente armatosja e batalionit “Vermoshi” për t’i dërguar në Mat.
Gjithashtu edhe sigurimi sa më parë i municionit për fuqitë vullnetare. Ndërkohë, me shkresën Rezervat Personal, të datës 13 gusht 1944, Nënprefektura e Mirditës informoi Prefekturën e Shkodrës se situata po keqësohej vazhdimisht në rajonin e Mirditës. Nga lajmet e fundit që kishin marrë, formacionet komuniste, mbasi kishin okupuar edhe Lurën që ishte nën juridiksionin e Nënprefekturës së Matit, ndodheshin përballë fuqive vullnetare të Mirditës. Akoma nuk kishte informacione nëse kishin filluar përpjekjet me armë. Fuqitë e Mirditës të komanduara prej vetë Princit të tyre, Kapedan Gjon Marka Gjonit, kishin zënë të gjitha shtigjet e majat që ndanin Mirditën me Matin dhe kishin një fuqi të konsiderueshme, që besohej se do të mund të përballonin çdo sulm edhe të sulmonin, po t’u mbërrinte municioni i duhur, qoftë edhe brenda 24 orëve. Vetëm nga ana e Kthellës komunistët kishin ardhur në kontakt me vullnetarët e këtij rajoni, në vendin Ura e Urakës, te Kullat e Pashës, dhe mbas luftimesh të pak orëve ishin tërheqë nëpër pyjet e këtyre vendeve. Prej fuqve shtetërore kishte mbetur një i vrarë, ndërsa prej çetave komuniste nuk dihej gjë.
Çështja që preokuponte dhe konsiderohej e një rëndësi të posaçme për autoritetet e Nënprefekturës së Mirditës ishte se brenda rajonit ishte parë një çetë komunistësh me 50-60 vetësh, me tri femra. Kjo çetë ishte drejtuar për në Kaçinar dhe kishin urdhëruar banorët e lagjes Strez t’i lironin shtëpitë e tyre dhe të tërhiqeshin, të cilët u detyruan të largoheshin. Katundi Kaçinar, që komunistët donin ta bënin qendër propagande të veprimit të tyre, ishte afër qendrës së kësaj Nënprefekture dy orë e gjysmë dhe nga pikëpamja topografike paraqiste kërcënim të drejtëpërdrejt për qendrën dhe komunikacionet me Prefekturën e Shkodrës, si me anën e Pukës ashtu edhe me Shkodrën dhe Lezhën.
Qendra e Nënprefekturës së Mirditës gjindej në rrezik të okupohej edhe prej një fuqie të pakët, mbasi kishte në dispozicion vetëm 6-7 xhandarë me në krye aspirantin, sepse fuqitë e tjera ishin marrë prej rrethkomandantit në vijën e qendresës që ishte parë e arsyeshme prej tij dhe larg kësaj qendre 7 orë. Gjithashtu, pa xhandarë kishin mbetur edhe komunat. Në këtë gjendje që ndodheshin, autoritetet e nënprefekturës vlerësonin se qëndrimi i tyre ishte i kotë e i padobishëm, veçse të sakrifikoheshin nëpunësat së kotit. Por, para largimit të tyre, duke i konsideruar të një rëndësie të posaçme arshivat e komunave, të Zyrës së Rekrutimit dhe të Gjyqit dhe në radhë të dytë të zyrave të tjera, u urdhëruan kryetarët e komunave “t’i siguronin [këto arshiva] për mos me u zhdukë e vetë personalisht të marrin qëndrimin e rastit, nëse shohin rrezik jete”. Zyra e Rekrutimit dhe ajo e Gjyqit u urdhëruan që arshivat t’i largonin prej qendrës së Nënprefekturës.
Pas informimit verbal që i ishte bërë nga zëvendësisht titullari i komandës së xhandarmërisë së Mirditës për hyrjen e një çete komuniste në katundin Kaçinar, bazuar dhe në informacionin e përcjellë prej Postëkomandës së Gojanit se kjo çetë kërcënonte drejtëpërsëdrejti qendrën e Mirditës, me shkresë Rezervat i Posaçëm të datës 19 gusht 1944, nënprefekti i Mirditës urdhëroi Rrethkomandën e Xhandarmërisë që vetë komandanti të sillte një fuqi për sigurimin e qendrës, duke ardhë vetë personalisht ose duke disponue fuqinë zëvendësit të tij. Këto masa duhej zbatuar brenda 24 orëve, përndryshe nënprefekti do të ishte i detyruar që për shpëtimin e arshivave dhe të nëpunësave të urdhëronte zbrazjen e zyrave të nënprefekturës. Sipas njoftimeve të Qarkomandës së Shkodrës, rezulton se më datën 24 gusht 1944 fuqitë gjermane që ndodheshin në Mirditë, me urdhër të komandës së vet, ishin tërhequr dhe fronti kishte mbetur në dorë të vullnetarëve.
Më datën e sipërme, komunistët mësynë Bazin, Bushkashin, Perlatin, Lajthizën, Diell, Frashër e Lufaj, por ishin pritur prej vullnetarëve dhe kishte vazhduar një luftim i rreptë deri më datën 28 gusht 1944. Komunistët më pas hynë në Lufaj, Diell, Vlanorin, Frashen, Breshten e Orosh, ku dogjën sarajet e Gjon Marka Gjonit. Komandanti i Rrethit të Mirditës, kapiten Ndue Bajraktari, i plagosur lehtë, vazhdonte me mbajtë komandën dhe ishte tërhequr me gjithë personel në Shën Pal, me urdhër të komandatit të Fuqive Vullnetare.
Municioni mungonte. Ndërkohë, sipas informacionit rezervat të datës 4 shtator 1944, që zëvëndësisht prefekti i Shkodrës Mynir Tërshana i drejton Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezulton se Komanda Vullnetare ishte tërhequr në pozicione të reja për t’u prerë hovin komunistëve. Po më 4 shtator 1944, bazuar në njoftimin e Qarkkomandës së Shkodrës, zëvëndësisht prefekti i Shkodrës Mynir Tërshana informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se më 28 gusht 1944 fuqitë komuniste kishin okupuar Selitën dhe një pjesë të Bajrakut të Oroshit.
Në këto rrethana, rrethkomandanti i Mirditës i kishte parashtruar Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, nevojën për municion si dhe shtimin e efektivit, në rast të kundërt nuk do të merrnin përgjegjësi për çka mund të ndodhte në atë krahinë. Ndërkohë, me rastin e hyrjes së çetave komuniste në Bjeshkën e Oroshit, rrethomanda e Mirditës (Shën Pal) urdhëroi Postëkomandën e Fanit që me personelin e saj të kthehej në qendrën e Nënprefekturës. Por, sipas informacionit rezervat të datë 13 shtator 1944, të zëvëndësisht prefektit të Shkodrës Mynir Tërshana drejtuar Ministrisë së Brendshme, zëvëndësisht postëkomandanti tetar Bib Doda jo vetëm që nuk zbatoi urdhërin, por u bashkua me komunistët, ku bënte pjesë edhe kushëriri i tij Bardhok Biba, nga Oroshi, i cili u jepte lehtësira dhe i orientonte komunistët. Autoritetet e prefekturës së Shkodrës dhanë urdhërat e duhura për kapjen e tetar Bib Dodës.
Fuqitë partizane marrin nën kontroll Mirditën
Detyra për të marrë nën kontroll Mirditën iu ngarkua forcave të Divizionit të II-të partizan. Më 17 tetor 1944, brigadës së XXII-të partizane që ishte grumbulluar në Fushën e Lurës iu komunikua ky mision nga zëvendëskomisari i brigadës: “… Një pjesë e Mirditës dhe Pukës ndodhen në duart e reaksionarëve të cilët po përpiqen të qëndrojnë në ato vende me çdo kusht. Neve na bie barra t’i çlirojmë edhe ato krahina …” Po atë ditë, brigada e XXII-të hyri në zonat e pashkelura deri atëherë nga partizanët. Më 18 tetor një batalion i brigadës arriti në Orosh, kryevend i Mirditës dhe vendlindja e Gjon Marka Gjonit. Oroshi ishte marrë nën kontroll që më 28 gusht nga forcat partizane. Nga sarajet e Marka Gjonëve kishin mbetur vetëm muret në këmbë. Të nesërmen batalioni u nis për në Shën Pal, qendra e nënprefekturës, që ndodhej në duart e nacionalistëve. Sipas urdhërave të Shtabit të Divizionit të II-të, njësi nga brigadat VI, VII dhe XXII arritëm në mbrëmje në Malin e Kunorës, në lindje të Shën Palit.
Në orën 6.00 të mëngjesit të datës 20 tetor 1944, forcat partizane filluan sulmet me mortaja. Dy majat e malit rrëzë të cilit ndodhet Shën Pali dhe lumi që kalon në lindje të tij e bëjnë atë një vend strategjik. Gjermanët kishin ngritur barrikada me gur në të gjitha anët. Aty ndodhej një garnizon prej 200 gjermanësh dhe 300 antikomunistë të Gjon Marka Gjonit. Nga ora 8.00, qitja e armëve u dëndësua nga të dy krahët. Luftimet zgjatën një orë e gjysmë. Në orën 10.00, fuqitë partizane morën nën kontroll Shën Palin. Gazeta “Bashkimi” e datës 22 shkurt 1945, jep këtë bilanc të luftimit, sigurisht jo shumë i besueshëm: 14 gjermanë të vrarë, 12 të zënë rob, 28 antikomunistë u zunë rob, 42 italianë të rekrutuar nga gjermanët u lanë të lirë. Nga ana e partizanëve mbetën 2 të vrarë dhe 2 të plagosur. Detyra e radhës për fuqitë partizane ishte marrja nën kontroll e Pukës, rrugës Pukë-Kukës dhe Iballës, fshatit të Kol Bibë Mirakajt.
Depërtimi i çetave komuniste në Dukagjin
Sipas informacionit rezervat të datës 14 shtator 1944, Komiseria e Policisë së Shkodrës informoi Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Tiranë, se në katundin Temal të rajonit të Nënprefekturës së Dukagjinit “një çetë e përbërë prej afro 84 vetësh të veshur me devizë ruse, duke pasë dhe yllin dallues, po silleshin rreth e përqark atij katundi, duke bërë ndër banorët e katundeve t’atij rrethi propagandë subversive komuniste”. Autoritet e policisë së Shkodrës u luteshin autoriteteve qendrore që të merrnin masa për shtypjen e tyre, gjë që nuk ndodhi. /TV Malisheva