Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të sjellë destabilitet në Kosovë.
Duke folur nga Brukseli, të premten pas takimit të Këshillit Evropian, ai tha se stabiliteti mund të preket edhe në Mal të Zi e në Bosnjë e Hercegovinë.
“Apeli i Zelenskyt na kujton Kroacinë e vitit 1991. Lufta në Ukrainë mund të ketë efekte negative edhe në stabilitetin e territoreve të tjera, siç janë Kosova, Mali i Zi, por në veçanti Bosnjë e Hercegovina. Ne do t’i paralajmërojmë kolegët që të kujdesen për stabilitetin”, citohet të ketë thënë Plenkoviqi.
Kryeministri kroat tha se mbledhja e Këshillit Evropian zgjati deri në orën 02:30. Ai thotë se ata dërguan një mesazh bashkimi.
Është e rëndësishme, thotë ai, të ritheksohet se kjo është një paketë e dytë sanksionesh. “Kjo paketë shtrihet në sektorin financiar, bankar dhe në listën e personave që do të ndalohen të udhëtojnë ose t’u ngrihen pasuritë”, tha ai.
Kryeministri kroat gjithashtu njoftoi sanksione të tjera të mundshme. “Kjo është diçka që ka karakter dinamik”, tha ai, duke vazhduar: “Çfarë ndodhi dje? Agresioni i djeshëm kundër Ukrainës përfaqëson anulimin e të gjitha vlerave mbi të cilat mbështetet rendi ndërkombëtar. Kjo politikë e neutralizimit të Ukrainës, ky është një sulm i paprovokuar, një sulm ndaj një vendi të pavarur dhe sovran”.
Rusia, këmbëngul ai, nuk dëshiron që NATO-ja të zgjerohet.
“Gjithashtu, kjo situatë do të çojë në fillimin e krizave – një fazë të re të krizës energjetike, një krizë refugjatësh që me siguri do të përhapet në vendet e BE-së”.
“Kjo është në një farë mënyre një betejë midis sistemeve demokratike dhe atyre ku qeveria nuk ndryshon shpesh. BE-ja është e bashkuar, të gjithë kemi kontribuar në debat…”, tha kryeministri kroat, transmeton Zeri.info.
Ai thotë se është një gjë e mirë që ata u takuan në Këshill, dërguan mesazhe dhe mbështetën sanksionet. “Ne do të përpiqemi të ndihmojmë më tej në aspektin ku është e mundur”, thotë kryeministri kroat.
“Nuk mund të shpreh pakënaqësi më të madhe që diçka e tillë po ndodh në shekullin 21. Ky 24 shkurt do të mbahet mend për një kohë shumë të gjatë. Kemi paralele me 2008 dhe Gjeorgjinë. Thirrjet e tyre për komunitetin ndërkombëtar janë vërtet të forta. Sa i përket aftësisë për t’u mbrojtur, është e vështirë të flitet. Ajo që ka rëndësi është – ky lloj sulmi nuk ishte i përgatitur për një ditë. Dëshiron që Ukrainën sërish ta fusë në Rusi”, tha Plenkoviqi.
Kryeministri kroat tha se në paketën e sanksioneve duhet të përfshihet edhe Bjellorusia, vend nga i cili u futën trupat ruse në Ukrainë.
Në lidhje me qëndrimin e Serbisë për konfliktin Rusi – Ukrainë, Pleqnkoviqi tha se Beogradi zyrtar nuk ka shumë mundësi.
“Serbia nuk ka shumë manovra këtu, që të ulet në dy karrige… Në këtë situatë, të gjithë duhet të deklarohen. Kroacia është në anën e duhur. Kur debatoni, shihni përvojën e vendeve që kanë kaluar një luftë. Kroacia është shumë e qartë këtu dhe pa dyshim në anën e duhur”, u shpreh kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.
/TV Malisheva