Gjatë kohës sa ishte ministër i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin kishte kontakte të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejta me Rusinë. Ai gjithashtu kishte pritur ish-homologun e tij rus, Sergei Shoigu në Beograd, për një shfaqje ushtarake të pesë prej gjashtë avionëve luftarak MiG29 që Moska i dhuroi ushtrisë së Serbisë, së bashku me 30 tanke dhe 30 automjete tjera të blinduara, marrëveshje e cila e shqetësoi në masë të madhe Perëndimin.

Vetëm disa vite më vonë, duke mos e harruar Rusinë, por kësaj herë nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, njoftoi të hënën nga Moska (23 gusht) se bashkëpunimi me kompaninë ruse “Rostec” do të vazhdojë, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Në takimin me zëvendës drejtorin e korporatës shtetërore për ndihmë në zhvillimin, prodhimin dhe eksportin e teknologjive të përparuara të “Rostec”, Dmitry Lelikov, ai tha se ishte i kënaqur me bashkëpunimin midis ministrisë së tij dhe kësaj kompanie ruse deri më tani.

Kompania shtetërore ruse “Rostec” dhe Qeveria e Serbisë, kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në vitin 2017 në fushën e inovacionit dhe zhvillimit teknologjik. Në emër të Serbisë nënshkroi Nenad Popovic, ndërsa në emër të kompanisë ruse “Rostec”, nënshkroi Dmitry Lelikov.

Kompania shtetërore ruse “Rostec” prodhon një grup të gjerë të pajisjeve ushtarake, nga helikopterët dhe automjetet e blinduara luftarake, e deri te pushkët automatike dhe pajisjet tjera përcjellëse ushtarake./TV Malisheva

Share.