Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka pezulluar pëlqimin mjedisor për ndërtimin e një inceneratori termik për trajtimin e mbeturinave në qytetin e Ferizajt.

Sipas ministrit Aliu, dhënia e këtij pëlqimi mjedisor është bërë në kundërshtim me vlerësimet mjedisore dhe ligjet në fuqi, andaj edhe ka shkarkuar dy komisione vlerësuese për menaxhimin e mbeturinave dhe dhënies së lejeve mjedisore.

Ministri Aliu në konferencë për medie të martën, tha se të gjitha shkeljet për dhënien e pëlqimit mjedisor për këtë projekt janë shqetësuese, andaj edhe i kanë adresuar në Prokurori.

“Në muajin maj befas na vjen një kompani dhe thotë se ne kemi marrë pëlqim nga ju për trajtim termik të mbeturinave, po ashtu kemi marrë edhe leje ndërtimore në Komunën e Ferizajt dhe atje do të ndërtojmë incenerator. Natyrisht është dashur të informohem paraprakisht dhe kam kuptua se në dhjetorin e vitit të kaluar ka pasur të lëshuar pëlqim mjedisor për incenerator në Varosh të Ferizajt dhe që nënkupton djegien e mbi 100 mijë ton mbeturina në vit. Duke njohur pak gjeografinë e vendit e kuptova se është shumë e vështirë me gjetur një lokacion të tillë në vendin tonë i cili nuk ka me pas ndonjë ndikim tek qytetarët. Pas vizitës që kemi bërë në teren, kemi pas takime edhe me qytetarë, askush se ka ditë se aty planifikohet të ndërtohet incenerator. Pastaj kemi marrë dhe kemi shqyrtuar raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis që e lëshon kompania e licencuar në bazë të cilit pajisjet me pëlqim mjedisore kompania. Një sy i thjeshtë e kuptojmë se aty thotë se objekti është tre mijë metra larg vendbanimeve, kjo ishte e pamundur pasi e kemi pa vend në teren dhe del se aty janë më pak se 700 metra. Kjo na nxiti që të bëjmë proces të auditimit dhe të bëhen matjet gjeodezike dhe kuptojmë se ky raport i vlerësimit në mjedis nuk ka të bëjë me realitetin fare”, tha ai.

Ai tha se për këtë projekt ka interesa të mëdha dhe se kompania që ka planifikuar ndërtimin e këtij inceneratori është “Erdi Products”.

Megjithatë, Aliu tha se ideja për një projekt të tillë është interesant, por duhet studime të hollësishme të projektit dhe kushteve.

“Natyrisht është projekt i interesave të mëdha. Kur kemi të bëjmë me 100 mijë ton mbetje nga të cilat prodhohet edhe energji, ky projekt ka interesa të mëdha. Kush qëndron prapa as që e dina. Unë po iu them ku janë shkeljet…(Kompania) është kombinim me vendor dhe ndërkombëtar ‘Erdi Products’”, shtoi Aliu.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani, tha se dhënia e pëlqimeve mjedisore është përcjellë me skandale të mëdha ndër vite.

Ai tha se do të ndalojnë këtë praktikë të vendimeve jo transparente të komisioneve duke bërë reformimin e tyre

“Duhet ndaluar kjo praktikë e vendimeve jotransparente të komisioneve dhe si rezultat kemi bërë kërkimin nga sekretari të shkarkojë dy komisione, përkatësisht komisionin për VNM-të apo për pëlqime mjedisore dhe komisioni për leje. Tash Ministria ka komisione të reja dhe ka filluar një proces më transparentë dhe një komunikim të brendshëm….Ne do të bëjmë një reformim të thellë të sektorit të vlerësueseve të ndikimit në ambient. Si do të bëjmë këtë? Duke shkruajtur në mënyrë eksplicite sesi do të funksionojë kjo. E para licencimi do të jetë një segment që duhet të koncentrohemi, s’mund të ketë licencim pa pasur një kompetencë në këtë fushë. Nëse bëjmë licencimin e inxhinierëve të ndërtimit dhe mjedisit, ne kemi ngritur edhe standardin në sektor, por edhe përgjegjësinë”, theksoi Zogiani.

Krahas këtyre, pas insistimit të gazetarëve, ministri Aliu foli edhe për çështjen e shtyllave të ndriçimit në autostradën e Gjilanit, të cilat janë prodhim i kompanisë serbe ‘AMIGA DOO’, e cila e ka selinë në Kralevë të Serbisë.

Ai tha se nuk ka qenë në dijeni për këto dhe pas denoncimit në medie do të merret me këtë çështje pasi e njëjta është shqetësuese.

“Autostrada në Gjilan, këto që janë me produkte të Serbisë, po e kemi dje në media dhe është shqetësuese. Do të merremi me këtë punë do të shohim kur janë porositur dhe pse janë porositur…Shumë prej materialeve që porositen dhe blihen prej kompanive si ministër nuk mund t’i dijë. As që është e mundur t’i di se çfarë lloje të produkte përdorin kompanitë që realizojnë. Por, natyrisht kur denoncohet dhe del një rast i tillë, po natyrisht se merremi me këtë me kënaqësi”, theksoi ai.

Ministri Aliu foli edhe për projektet infrastrukturore të tjera në Kosovë, ku u zotua për angazhim të shtuar në përfundimin e rrugëve të mbetura pezull ndër vite në Kosovë.

/TV Malisheva

Share.