Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë e ka mirëpritur dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për Albin Kurtin si kandidat për kryeministër të vendit.

Në një postim në Facebook, Ambasada britanike shkruan se politikanët e zgjedhur të Kosovës dhe partitë e tyre tani duhet të tregojnë guxim dhe kreativitet në formimin e një qeverie që pasqyron dëshirat e elektoratit.

“Ne bëjmë thirrje për përparim të shpejtë në negociata, në një frymë tolerance dhe partneriteti”, thuhet në deklaratë.

Postimi i plotë:

Ne mirëpresim dekretimin e presidentit Thaçi të Albin Kurti si kandidat për kryeministër, për të formuar një qeveri të re. Votuesit kosovarë kanë pritur tre muaj e gjysmë për këtë moment. Shpresa dhe dëshira e tyre për ndryshim, e shprehur në mënyrë të qartë më 6 tetor, meriton të respektohet. Politikanët e zgjedhur të Kosovës dhe partitë e tyre tani duhet të tregojnë guxim dhe kreativitet në formimin e një qeverie që pasqyron dëshirat e elektoratit. Ne bëjmë thirrje për përparim të shpejtë në negociata, në një frymë tolerance dhe partneriteti.

Presidenti Thaçi e ka dekretuar sot vendimin për të mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, pavarësisht se Albin Kurti nuk iu përgjigj ftesës së tij për të shkuar në zyrën e presidentit.

Thaçi ka thënë se pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës, dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për kryeministër e ka dërguar zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Albin Kurti si mandatar për të formuar qeverinë e re ka afat 15 ditë afat./TV Malisheva/

Share.