Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ishte për herë të parë në stadium për një ndeshje të Kosovës. Ai mbeti i kënaqur nga rezultati i arritur, por edhe nga atmosferë që “Dardanët” e bënë në stadium.

Kosova arriti ta sigurojë mbrëmë një fitore shumë të rëndësishme kundër Malit të Zi për ëndrrat për kualifikim në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohet verën e vitit të ardhshëm.

Djemtë e Bernard Challandes arritën ta gjejnë golin e parë qysh në minutën e dhjetë të ndeshjes, përmes Amir Rrahmanit, e atë të dytën në minutën e 34-të, përmes Vedat Muriqit.

Megjithatë, statistikat e ndeshjes tregojnë për një dominim edhe më të madh të Kosovës. “Dardanët” i krijuan katër raste shumë të mira për të shënuar, përderisa malaziasit asnjë.

“Mbrëmë ishte hera e parë që kam shikuar Kosovën duke luajtur në stadium. Me të vërtetë më pëlqeu atmosfera dhe rezultati i lojës”, shkroi ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, në llogarinë e tij në Facebook.

“Ishte e shkëlqyeshme të shihje tifozët duke përkrahur ekipin e tyre me aq emocion. I uroj ekipit të Kosovës suksese në rrugëtimin e tyre për kualifikim në Kampionatin Evropian”.

Share.