Ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, ka ritheksuar se vendi i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sipas portalit serb “Alo”, ai ka thënë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel duhet të zbatohen, ndërsa sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ai tha se kjo është çështje shumë e rëndësishme për serbët në Kosovë.

“Kosova mbetet një nga çështjet më të rëndësishme të bashkëpunimit dhe veprimeve të ndërsjella ndërmjet Beogradit dhe Moskës dhe Prishtina është nën presionin e BE-së dhe Washingtonit. Deklaratat tregojnë qartë se BE-ja dëshiron që Beogradi ta njohë Kosovën dhe ky është një nga kushtet për anëtarësim në BE”, tha ai.

“Ndërmjetësimi i BE-së për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, i cili nuk është përmbushur, dhe BE-ja si ndërmjetës në këto bisedime dhe në zbatimin e asaj marrëveshjeje është dashur të bëjë presionin e nevojshëm ndaj Prishtinës. Nuk ka asgjë në terren që tregon cilësinë dhe statusin e ndërmjetësimit perëndimor, në këtë rast të BE-së. Është e vështirë të flitet për ndonjë besim”, theksoi ai.

Botsan-Kharchenko shtoi se në Evropë mbretëron një situatë dramatike dhe se do të ketë ndryshime të mëdha. Sipas tij, jeta siç ka qenë deri më tani në Evropë ka marrë fund.

“Ata janë fajtorë dhe arsyeja pse Evropa po e humbet subjektivitetin hap pas hapi nën ndikimin e të tjerëve. Kur bëhet fjalë për Rrjedhën e Veriut, nëse do të vazhdojë të funksionojë varet nga Evropa, e cila po e qëllon veten në këmbë, shpinë dhe kokë”, theksoi ai.

Ndër të tjera, Botsan-Kharchenko foli edhe për luftën e paprovokuar të Putinit në Ukrainë. Ai tha se gjithçka po shkon sipas planit.

“Gjithçka po zhvillohet sipas planit. Ushtria ruse dhe milicia popullore DNR dhe LNR kanë mandat të urdhëruar nga presidenti i Federatës Ruse dhe komandanti i përgjithshëm, që nga 24 shkurti, dhe asgjë nuk ka ndryshuar, përkatësisht mbrojtja, sigurimi dhe siguria e popullit të Donbasit dhe denazifikimi e çmilitarizimi i Ukrainës”, tha ambasadori rus në Beograd në këtë intervistë.

Sipas tij, Rusia gjithmonë ka qenë e gatshme për bisedime me Ukrainën dhe se janë zhvilluar disa raunde bisedimesh, por që, siç u shpreh ai, ndërprerja e tyre ka ardhur nga “regjimi i Kijevit dhe nga mbështetësit e tyre, të cilët edhe e kanë urdhëruar këtë të fundit t’i ndërpresë bisedimet”.

/TV Malisheva

Share.