Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Tomash Szunyog, do të qëndrojë sot për një vizitë në Janjevë.
Ai gjatë kësaj vizite do të shoqërohet nga ambasadorja e Kroacisë në Prishtinë, Daniella Barishiq.
Ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Liburn Aliu, një përfaqësues i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, koordinatorja e OKB-së për Zhvillim Ulrika Richardson dhe përfaqësuesja rezidente e UNDP-së në Kosovë Maria Suokko do t’i bashkëngjiten kësaj vizite.
Zyrtarët do të takohen me përfaqësuesit e komuniteteve lokale, ku do të shënojnë projekte të financuara nga BE-ja për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe fetare dhe për të promovuar turizmin, duke përfshirë një projekt 2 milionë euro për ruajtjen dhe rigjenerimin e qendrës historike të Janjevës, si shtesë e fondit 1.4 milion euro të ndarë nga Qeveria, me Zyrën e UNDP-së në Kosovë si partnere në implementim, thuhet në një komunikatë për media të Zyrës së BE-së./TV Malisheva