Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ka komentuar urdhërin e ri të presidentit, Joe Biden, që t’u ndalohet hyrja në ShBA, të gjithë atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.

Në një konferencë të OSBE-së me temën “Përpjekje të përbashkëta për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri”, ambasadorja Kim ka thënë se urdhri i Bidenit synon që të kërkojë llogari ndaj atyre që shkelin të drejtat e njeriut.

”Siç e dini, presidenti Biden dhe sekretari Blinken e kanë bërë të qartë se korrupsioni, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe krime të tjera destabilizuese përbëjnë një kërcënim jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për të gjithë botën. Dhe ata i kanë udhëzuar të gjitha agjensitë qeveritarë amerikane të mbrojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre prej dëmeve që shkaktojnë krimet e rënda dhe abuzimet me të drejtat e njeriut, siç është trafikimi i qenieve njerëzore dhe ndikimi i tij mbi sigurinë tonë kolektive”.

Tutje, ambasadorja Kim tha se destabilizuesit përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të ShBA-së.

“Nëse përfshiheni në trafikimin e qenieve njerëzore, ne mund t`ju ndalojmë hyrjen në SHBA duke pezulluar vizën tuaj amerikane. Nëse e keni tashmë atë vizë, nuk do t`iu hyjë në punë për asgjë. Nëse trafikoni qenie njerëzore, SHBA do të ndërmarrë veprime kundër pronës suaj nëse ka ndonjë lidhje me SHBA“, deklaroi ajo.

Në konferencën e sotme, mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili tha se BE për luftimin e kësaj dukurie negative do t’ju ndihmojë edhe vendeve joanëtare si Shqipëria. /TV Malisheva

Share.