Bisedë jashtëzakonisht e mirë dhe çmimi i volitshëm. Me këto fjalë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e përshkroi telefonatën me homologun rus, Vladimir Putin.
Megjithatë, disa analistë theksojnë se përveç çmimit ekonomik, fshihet edhe çmimi politik i gazit, i cili mund t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë.
Ekspertët e energjetikës thonë se aktualisht është 310 dollarë për metër kub dhe se gjatë dimrit të ardhshëm çmimi mund të jetë mbi 400 dollarë.
Kushtet e “favorshme” për furnizim me gaz janë vetëm njëra anë e medaljes, paralajmëron njohësi i energjetikës Miodrag Kapor, ku sipas tij Rusia përdor gazin si një mjet për detyrim politik.
“Sigurisht që nuk është falas. Për shumë arsye. Aleatët tanë në BE nuk do ta presin mirë këtë, sepse ata me vetëdije sakrifikuan çmimet e energjisë së tyre për shkak të agresionit të Kremlinit ndaj Ukrainës”, tha Kapor.
Mbetet të shihet se di do të reagojë Evropa ndaj marrëveshjes ruso-serbe të gazit, kur Viola von Cramon, e cila konsiderohet si një nga kritikët më të mprehtë të Vuçiqit në Parlamentin Evropian, të arrijë në Beograd.
Serbia aktualisht është plotësisht e varur nga gazi rus. Derisa arrin të plotësojë vetëm 13 për qind të nevojave nga prodhimi vendas, pjesën tjetër Serbia e importon nga Federata Ruse.
Sipas marrëveshjes së arritur në fund të vitit 2008, pala ruse, me 400 milionë euro, ka marrë 51 për qind të pronësisë në ish-gjigantin serb të naftës, i njohur si NIS.
Në krye të shtetit serb në atë kohë ka qenë Partia Demokratike e Serbisë, e udhëhequr nga kryeministri Vojisllav Koshtunica dhe Partia Demokratike e presidentit të atëhershëm Boris Tadiq.
/TV Malisheva