Rimeçi i shumëpritur mes Anthony Joshuas dhe kampionit aktual botëror të boksit në kategorinë e peshave të rënda, Andy Ruiz Jr, mund të zhvillohet në Arabi Saudite.
Mediumi sportiv, The Athletic, pretendon se promotori i Anthony Joshuas, Eddie Hearn, është duke tentuar ta caktojë rimeçin me Andy Ruiz Jr. në Riad, më 7 ose 14 dhjetor, transmeton Gazeta Express. Stadiumi “The King Fahd” në Riad besohet se do të jetë vendi ku do të zhvillohet ky rimeç. Nëse caktohet ky stadium, atëherë plot 68,752 persona do ta kenë mundësinë ta shikojnë meçin nga afër.
Joshua, 29-vjeçar, raportohet se tashmë është pajtuar që meçi të zhvillohet në Arabi Saudite në vend të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Britanisë së Madhe.
Dhe Ruizi, gjithashtu 29-vjeçar, mund t’i marrë nëntë milionë dollarë si kompensim vetëm që të pajtohet për të luftuar në Riad.
Ruizi e kishte tronditur botën e boksit më 1 qershor, kur e mposhti Joshuan në mënyrë befasuese dhe ia mori atij katër titujt e kampionit botëror.