Sot në Gjakovë, për herë të dytë si nikoqir, e për herë të tretë në më pak se 2 vjet, ishte planifikuar të mbahet mbledhja e nëntë e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Kjo ishte deklarata që e tha të martën kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media para se të anulohej mbledhja e përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Por, pak para mbrëmjes të martën, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë të jashtëzakonshme njoftoi për anulimin e mbledhjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Ai tha se ka informuar Kurtin se në këto kushte, takimi nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.
“Në kushtet e përkeqësimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. I kam kërkuar Albinit që të takohemi në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe përkeqësimit të raporteve të Prishtinës me aleatët perëndimor, takimi në Gjakovë nuk është i mundur të mbahet siç është paraparë sepse “nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot”.
“Për fat të keq edhe me shumë keqardhje më duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me Kurtin për një ndryshim të formatit dhe ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë për këtë por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që ndodh me realitetin e Kosovës sot”, tha Rama.
/TV Malisheva