Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) ka reaguar ndaj vendimit të fundit të ministrit të Shëndetësisë për Shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ nr. 02/2019 për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale. Këtë vendim të Zemajt Oda e Farmacistëve e cilësoi skandaloz.
Zëvendëskryetarja e Odës së Farmacistëve të Kosovës, Dardane Mehaj, u shpreh se me këtë vendim përveçse lulëzon krimi i organizuar dhe korrupsion, dëmtohen edhe qytetarët.
Mehaj tutje në konferencën për media ka theksuar se me këtë udhëzim administrativ veç profesionistëve shëndetësorë përfitojnë edhe pacientët.
Mehaj: Vendimi i ministrit, skandaloz
“Ky vendim i djeshëm është vendim skandaloz sidomos në këtë situatë që Kosova në këtë përballje me COVID-19 duke pritur për të zbatuar udhëzimin për rregullimin e çmimeve të barnave, vjen një vendim i cili shfuqizon vendimin pas të gjitha procedurave administrative që ka kaluar dhe ne duke pritur fuqizimin më 1 korrik, vjen vendimi për shfuqizim. Kjo është e rëndësishme se popullata e Kosovës blen barna 12 milionë euro më shtrenjtë se rajoni… Me shfuqizimin e këtij vendimi lulëzon krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe barnat në të zezën që na kanë dëmtuar që 20 vjet. Kërkojmë menjëherë shfuqizimin e ministrit”, tha Mehaj.
Oda e Farmacistëve ka kërkuar nga ministri që të anulojnë këtë vendim dhe të fuqizojnë Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave.
Ndërkaq, nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Gjon Gegaj, ka paralajmëruar edhe mbylljen e barnatoreve nëse ministria e Shëndetësisë nuk anulon vendimin e djeshëm.
Gegaj: Pa vullnetin tonë, detyrohemi t’i mbyllim barnatoret
“Kemi pas kërkesa të mëdha për oksigjen dhe ampula që ka mungesë të mëdha, e të vijmë në këtë situatë kur është pandemia në kulminacion, se na me u marrë me gjëra të tjera dhe me mbylljen e barnatoreve jo me vullnetin tonë, por jashtë vullnetit tonë është vërtetë e papërgjegjshme. Ne bëjmë thirrje që këtë vendim që është shfuqizuar, dhe menjëherë të shfuqizohet dhe të fuqizohet udhëzimi administrativ”, tha ai.
Kurse, sekretari i Odes Ekonomike, Taulant Bajrami tha se vendimi për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e barnave ka paqartësi juridike.
Bajrami: Vendimi përmban disa paqartësi juridike
“Ne vlerësojmë që vendimi i tillë përmban disa paqartësi juridike, për shkak se i njëjti thotë se shfuqizohet udhëzimi administrativ ndërkohë neni 53 qartazi e tregon dallimin ndërmjet anulimit dhe shfuqizimit të një akti juridik. Neni 53 në paragrafin 2 parasheh efektet e këtyre vendimeve. Vendimi i ministrit të Shëndetësisë është shfuqizim dhe si i tillë sipas nenit 53 nënkupton vetëm periudhën pas marrjes së vendimit, respektivisht pas datës 4 gusht kur është nxjerr vendimi dhe si i tillë krijon paqartësi”, tha ai.
E mbrëmë Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media ka reaguar lidhur me reagimet publike rreth shfuqizimit të Udhëzimit Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale. MSH përmes kësaj komunikate është zotuar se do t’i përkrahim farmacistët dhe rregullimin e tregut farmaceutik të Kosovës vetëm me dispozitat ligjore në fuqi.