Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se kur Rusia pushtoi Ukrainën 100 ditë më parë, askush nuk e priste që vendi i tij të rezisonte kaq gjatë. Madje, thotë se udhëheqësit botërorë e këshilluan të ikte.
“Por, ata nuk na njihnin”, tha ai në një fjalim nëpërmjet një videomesazhi një natë të vonë prilli, kur lufta mbushi ditën e saj të 50-të.
“Dhe ata nuk e dinin se sa të guximshëm janë ukrainasit, sa e vlerësojmë ne lirinë”.
Askush nuk e dinte se si 44 vjeçari, që nga komediani ishte bërë president, do t’i përgjigjej një pushtimi nga ushtria gjigante ruse, shkruan AP.
Çdo natë ai ka mbledhur ukrainasit në luftë nëpërmjet një videomesazhi në rrjetet sociale. Kanë qenë 100 fjalime – një për çdo ditë të luftës – në të cilat ia ka rikujtuar popullit të tij se ai nuk ka ikur dhe se Ukraina me të vërtetë ka mbijetuar.
Që nga fillimi i luftës ai është veshur me nuanca të ndryshme të jeshiles ushtarake, duke u shfaqur më shpesh me një bluzë të thjeshtë. Përshtypja që ai lë është e qartë: ai ka ardhur nga lufta dhe është gati të kthehet në të.
Një komunikues i palodhur dhe i aftë, Zelensky ka folur me videolidhje me Kombet e Bashkuara, Kuvendin e Britanisë së Madhe, Kongresin e ShBA-së dhe dhjetëra parlamente të tjera në mbarë botën, si dhe me Festivalin e Filmit në Kanë dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy në Amerikë.
Rrallëherë një mashkull pa kravatë i është drejtuar kaq shumë VIP-ave. Volodymyr Zelensky ka dhënë edhe intervista për gazetarë.
Por, videoadresimet e tij gjatë natës kanë qenë kanali i tij i preferuar për të informuar dhe frymëzuar ukrainasit.
Ai shpesh e fillon adresimin e tij duke iu drejtuar ukrainasve si “njerëzit e lirë të një vendi të guximshëm” ose “populli i pamposhtur i vendit tonë të madh”. Në ndërkohë, e përfundon gjithmonë njëjtë me shprehjen e tij të famshme – “Lavdi Ukrainës”.