Në kuadër të Javës së Diplomacisë Klimatike, Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Balkan Forum, dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizuan diskutim mbi rolin e rinisë në zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Rinora Gojani, nga Balkan Green Foundation (BGF) tha se organizatat e shoqërisë civile, si një ndër promotorët më të zëshëm të zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë, besojnë se: “Politikat e ndryshimeve klimatike dhe në përgjithësi, zhvillimi i qëndrueshëm, janë çështje që padyshim kërkojnë përfshirjen e të gjitha gjeneratave, e sidomos rinisë. Roli i të rinjve në tranzicionin e energjisë, dhe në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike janë të rëndësishme për të paraqitur një zgjidhje më të mençur për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.”
Nataliya Apostolova, Përfaqësuese Speciale e Bashkimit Evropian/Shefe e Zyrës së BE-së (EUSR/HoO) theksoi mbështetjen e BE-së në përfshirjen e rinisë në rrugën drejt zbutjes së ndryshimeve klimatike.
Apostolova u shpreh se: “Ndryshimet klimatike duhet parë si një sfidë globale dhe duhet trajtuar me përfshirjen dhe bashkëpunimin e të gjitha vendeve dhe rajoneve në botë. Vetëdijesimi qytetar, përfshirja e rinisë, dhe zhvillimi i kapacitetit njerëzor luan rol kyç në rrugën drejt zbutjes së ndryshimeve klimatike. Mirëpo mbi të gjitha, unë i bëj thirrje udhëheqësve politikë të japin përparësi këtyre çështjeve, gjithashtu gjatë fushatës zgjedhore.”
Në anën tjetër, Stine Ramussen nga DG CLIMA, paraqiti qartë vendimin e Bashkimit Evropian kundrejt ndërtimit të termocentralit të ri me bazë qymyrin.
“Është për të ardhur keq që planet e vendimmarrësve në vend janë për të vazhduar me ndërtimin e një termocentrali të ri me bazë qymyrin. Politikat e Bashkimit Evropian gjithmonë fokusohen të jenë në pajtim me Marrëveshjen e Parisit dhe prioriteti ynë i parë është të largomë tutje përdorimin e qymyrit. Andaj, i bëj thirrje rinisë kosovare që të përfshihen dhe te familiarizohen me çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe të bëjnë presion për një mjedis e të ardhme të pastër, pasi që ndryshimet klimatike nuk duhen trajtuar si problem i një sektori të vetëm, por gjithëpërfshirës,” tha Ramussen, raporton KP.
Ngjarja më pas u vazhdua me panelin diskutues ku u shtjellua mbi rëndësinë e fuqizimit të rinisë për të ndërruar shprehitë e tyre ditore në raport me mbrojtjen e natyrës, promovimin e transportit të qëndrueshëm dhe mobilitetit, ngritjen e debateve të ndryshme në shoqëri mbi ndryshimet klimatike, bashkërendimin e prioriteteve me akterët relevant etj. Gjithashtu, u theksua si e rëndësishme që vendimmarrësit të preokupohen me çështjet e mbrojtjes së mjedisit, të forcojnë bashkëpunimin me qytetarët e akterët nga sfera ndërkombëtare në të mirë të vendit – sepse shihet qartë çalimi në implementimin e kornizave ligjore që trajtojnë ndryshimet klimatike.
Në diskutimin e hapur, të pranishmit u pajtuan se është e rëndësishme që publiku i gjerë të informohet mbi edukimin e hershëm dhe gjithëpërfshirës kundrejt ndryshimeve klimatike në vend e më gjerë, ashtu që të avancohet mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm nga secili nga ne.
“Java e Diplomacisë Klimatike në Kosovë 2019” organizohet nga Zyra e BE-së në bashkëpunim me organizata të ndryshme joqeveritare, e cila si qëllim kryesor ka vetëdijesimin e qytetarëve mbi temat që ndërlidhem me ndryshimet klimatike në vend e më gjerë.