Në mbledhjen e sotme me kryetarin e FIBA Europe, Turgay Demirel, nënkryetearët Jean Pierre Siutat, Carmen Tocala dhe John Goncalves, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu raportoi mbi situatën aktuale në basketbollin vendor, anulimin dhe suspendimin e garave, problemet aktuale dhe potenciale me të cilat do të përballen akterët në sferën e basketbollit, si dhe paraqiti idetë e tij lidhur me përkrahjen e mundshme nga organizata botërore e basketbollit gjatë fazës së rimëkëmbjes nga efekti i pandemisë së krijuar me COVID-19.
Duke njoftuar krerët e FIBA Europe për tri procese të rëndësishme strategjike e strukturore në të cilat është duke u angazhuar FBK-ja për momentin – hartimi i Strategjisë për Zhvillimin e Basketbollit, krijimi i sistemit të edukimit dhe përcaktimi i kritereve për licencimin e trajnerëve të basketbollit dhe përcaktimi i kritereve për licencimin e shkollave të basketbollit në vendin tonë, Kryetari Fetahu kërkoi përkrahjen e FIBA Europe për këto procese.
Në kuptimin teknik dhe të kthimit të formës së lojtarëve, në veçanti për basketbollistët e basketbollistet e reja të cilët sivjet nuk do garojnë në Kampionate Evropiane, u theksua nevoja e organizimit të turneve kombëtare apo ndërkombëtare, apo garave të ndryshme për ta.
Për më tepër, marrë parasysh rëndësinë e vijimësisë së garave të basketbollit gjatë verës, në kushte kur kthimi në palestra të mbyllura mund të mos lejohet, kryetari Fetahu nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së basketbollit 3×3 gjatë periudhës mes dy stinorëve, duke marrë zotimet e krerëve të basketbollit evropian për shqyrtim të mundësisë së përkrahjes së aktiviteteve në këtë disiplinë të basketbollit.
Vendime të rëndësishme për basketbollin evropian pritet të bëhen të ditura pas mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të FIBA Europe që do mbahet më 11 maj 2020, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me përkrahjen e federatave kombëtare dhe me mbështetjen e aktiviteteve individuale të tyre gjatë periudhës së rimëkëmbjes nga efektet e COVID-19. Udhërrëfyesi i FIBA-s për tejkalimin e situatës së krijuar me pandeminë globale (FIBA Post-COVID19 Roadmap) pritet të publikohet nga mesi i muajit maj 2020./ Tv Malisheva