Dy institucionet që kontribuojnë më së shumti në buxhetin e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, thonë se brenda gjashtë muajve kanë treguar performancë të mirë në mbledhjen e të hyrave për arkën e shtetit.

Sipas projeksioneve të Qeverisë së Kosovës, nga të hyrat doganore për buxhetin e vendit gjatë këtij viti, duhet të grumbullohen mbi 1.2 miliard euro, ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës mbi 500 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha për Radion Evropa e Lirë se presin që të tejkalojnë parashikimet e Qeverisë së Kosovës për mbledhjen e të hyrave për vitin 2019. Ai bën të ditur se që nga janari deri më tani, kanë arritur të mbledhin mbi 600 milionë euro.

“Dogana e Kosovës jo vetëm këtë vit, por edhe gjatë viteve të kaluara ka arritur të tejkalojë parashikimet. Derisa në vitin 2018 në periudhën e njëjtë kohore janar – korrik janë mbledhur 585 milionë euro, në këtë vit janë deri në 615 milionë. Pra, kemi një rritje për 30 milionë euro”.

“Në aspektin e projeksioneve, deri në fund të vitit duhet mbledhur 1.2 miliard euro dhe ne besoj që jemi në rrugë të mirë dhe deri në fund të dhjetorit do të përmbushim 99 për qind ose 101 për qind në projeksionet e parapara nga Qeveria e Kosovës në fillim të muajit janar të vitit 2019”, thotë Stavileci.

Ai tregon se taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka pasur po ashtu efekte në mbledhjen e të hyrave.

Stavileci sqaron se brenda një kohë të shkurtër, produktet që vinin nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, u zëvendësuan me produktet që vinin nga vendet tjera, gjë që sipas tij, bëri të mos ndikohet në rënien e të hyrave.

“Nuk mund të shmangim efektet që ka shkaktuar taksa. Një pjesë e madhe e mallrave të cilat kanë ardhur nga Serbia janë zëvendësuar me importe nga vendet tjera. Një aspekt që ka ndikuar taksa është se me Serbinë kemi pasur vetëm Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe nuk kemi pasur taksë doganore, ndërsa mallrat nga vendet tjera kanë pasur edhe taksë doganore, por në shumicën e importeve që janë zëvendësuar kanë qenë nga Bashkimi Evropian, që prapë ndikohen nga Marrëveshja e Stabilizim Asocicimit, që nënkupton taksë doganore të reduktuar”, thekson ai.

Performancë të mirë në mbledhjen e të hyrave ka treguar edhe Administrata Tatimore e Kosovës. Ditë më parë gjatë një konference për media, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka bërë të ditur se të hyrat nga tatimet për periudhën gjashtëmujore kanë arritur ne vlerën në 239,5 milionë euro.

Ai ka theksuar se krahasuar më vitin 2018 janë mbledhur 19.5 milionë euro më shumë.

“Një ndër elementet kyçe që ka ndikuar në rritjen e të hyrave ka të bëjë me mbledhjen e borxheve dhe aktivitetet që kanë të bëjnë me luftimin e evazionit fiskal”, tha Murtezaj.

Ministri në dorëheqje i Financave, Bedri Hamza, ndërkaq është deklaruar se Kosova ka pozitë të qëndrueshme makrofiskale dhe se trendi i të hyrave është në përputhje me planifikimet.

Ai ka thënë se është optimist që parashikimet në mbledhjen e të hyrave për arkën e shtetit do të realizohen.

“Nëse i referohemi parasë së gatshme në llogari gjendja është përmirësuese jo që është dobësuar dhe ne nuk kemi as një vonesë në asnjë pagesë, as për pensione, as për çështje tjera sociale, as për paga e as për projekte kapitale. Shteti ka para”, ka thënë Hamza.

Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës janë kontribuuesit kryesorë të buxhetit të shtetit, i cili në këtë vit kap vlerën prej 2,3 miliardë eurosh.

Share.