Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që të pezullojë për një javë agjendën e zakonshme në Kuvendin e Kosovës. Kjo në shenjë solidariteti dhe reflektimi për zhvillimet e fundit në vend nga Gjykata Speciale.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media deputeti i PDK-së Abelard Tahiri, ku njëherësh ka kërkuar që njëjtë të veprojnë edhe partitë tjera, e në veçanti Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate.

Ai tha se ky vendim nuk lidhet me punën e drejtësisë por për nevojën e një solidariteti, pas zhvillimeve të fundit me arrestimin e tashmë ish-Presidentit, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës Social Demokrate, Jakup Krasniqi, si dhe Rexhep Selimit, shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Tahiri: Gjatë kësaj jave, PDK nuk do të marrë pjesë në agjendën e Kuvendit

“Ky zhvillim natyrisht se prek traditën e Kuvendit, nëse jo për ndonjë angazhim specifik, së paku për një reflektim solidar dhe ne si PDK përballë këtij zhvillimi, kemi nevojë për reflektim solidar, duke e shtyrë prezencën tonë për një javë në zhvillimet e zakonshme të agjendës së këtij Kuvendi. 5:10 mirëpresim një reflektim solidar edhe nga bartësit e institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës. Ne poashtu presim edhe nga partitë e tjera politike që t’i bashkohen kësaj nisme të PDK-së për këtë javë, dhe sidomos nga ato të cilat janë të prekura, siç janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate”, u shpreh ai.

Ai ka përsëritur edhe njëherë se besojnë fuqishëm në pastërtinë e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tahiri: Besojmë fuqishëm në pastërtinë e luftës së UÇK-së

“PDK, beson fuqishëm në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në kauzën e saj për çlirimin nga regjimi gjenocidial i Sllobodan Millosheviqit. Ne besojmë se që nga pjesëtari i parë i UÇK-së, e deri tek ata që iu bashkëngjitën të fundit kësaj kauze, të gjithë pa përjashtim, kanë pasur një dhe vetëm një qëllim, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës… Besojmë se historinë e luftës sonë të drejtë për çlirim, dhe sakrificën tonë kombëtare për liri, nuk mund ta ndryshojë dhe cenojë askush dhe asgjë, as sot dhe asnjëherë. Pavarësisht përpjekjeve që i kemi parë në vazhdimësi, dhe siç po i shohim edhe sot e kësaj dite në Serbi dhe Rusi, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë dhe s’ka për të ndodhur kurrë.”, tha ai.

Tahiri shtoi se si PDK besojnë se kauza e drejtë për liri, dhe orientimi i qartë demokratik e perëndimor, janë bashkuar në angazhimin e përbashkët të NATO-s, SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe UÇK-së, për ta arritur lirinë që gëzon Kosova sot.

Tutje, ai tha se si parti e njohin konceptin e drejtësisë dhe përgjegjësisë përballë saj. Teksa shtoi se besojnë në drejtësinë e paanshme.

Tahiri: Shpresojmë në drejtësinë e Dhomave të Specializuara

“Shpresojmë në profesionalizmin, paanshmërinë e kësaj drejtësie (Dhomave të Specializuara). Megjithatë, ne nuk do të komentojmë rreth punës së Dhomave të Specializuara. Kemi shumë çështje të rrafshit politik që na presin dhe për të cilat e kemi obligim ndaj votuesve tanë, ndaj shoqërisë tonë në përgjithësi dhe ndaj shtetit tonë në veçanti”, u shpreh ai.

Share.