Gjashtë persona janë arrestuar si të dyshuar për rastin ku një 18-vjeçar ka vdekur në vendin e tij të punës në Prizren.
Zëdhënësi në Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se të dyshuarit janë menaxherë të dy kompanive, të cilët ishin përgjegjës për sigurimin e punimeve dhe vendit të punës.
Bytyqi tutje ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Me datë 5 tetor, Policia ka arrestuar gjashtë menaxherë të dy kompanive të cilët kanë qenë përgjegjës për punimet dhe sigurimin e vendit të punës. Të njëjtit pas intervistimit dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, 18-vjeçari ka vdekur më 30 shtator pasi në vendin e punës i ka rënë në kokë një pako me qeramika.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili ka thënë se viktima ka vdekur në QKUK si pasojë e plagëve të marra.
“Sipas hetimeve të para thuhet se nga ballkoni i katit të dytë i ka rënë një pako me qeramika në kokë. Personi ka vdekur në QKUK për shkak të plagëve të marra në vendin e punës. Rasti ka ndodhur rreth orës 09:22 në rrugën ‘Brigada 125’ në Prizren”, ka deklaruar Gashi.
/TV Malisheva