Sokol Buli 70-vjeç është arrestuar nga policia në Durrës, pasi është pronari i një banese ku u zbulua një arsenal me armë e municione.
Policia njofton se arrestimi i të moshuarit është bërë në kuadër të operacionit të koduar ‘Types’.
Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur, kallashnikovë, armë zjarri, gjahu dhe municione. I arrestuari pritet të përballet me veprën penale ‘armëmbajtje pa leje’.
Njoftimi i policisë:
Kontrolle intensive, të mbështetura nga inteligjenca policore, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohet një arsenal armësh, i përbërë nga armë zjarri, pjesë armësh zjarri, armë gjahu, armë të ftohta dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak. Arrestohet në flagrancë shtetasi që i kishte fshehur në banesë, armët dhe municionin.
Si rezultat i kontrolleve dhe i patrullimeve në terren, të kryera me qëllim konstatimin dhe goditjen e mbajtjes pa leje të armëve, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Types”, kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte në banesën e tij, në fshatin Likmetaj, disa armë të llojeve të ndryshme.
Në bazë të këtyre informacioneve, këto shërbime, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë ndërhyrë menjëherë në këtë banesë dhe si rezultat i kontrolleve në ambientet e saj, kanë gjetur dhe kanë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov, pjesë armësh zjarri, 2 armë gjahu, 462 fishekë të këtyre armëve dhe 1 armë të ftohtë (thikë).
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës, i cili kishte fshehur arsenalin e armëve dhe të municionit, shtetasi S. B., 70 vjeç. Kallashnikovi u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur apo jo, për ngjarje kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/TV Malisheva