Policia e Kosovë, ka njoftuar se me datë 09.12.2023, rreth orës 23:00, ka pranuar informatën se në afërsi të Kuvendit Komunal në Zubin Potok një lokal ka marr flakë dhe është duke u djegur.
Menjëherë njësia policor i është përgjigjur rastit dhe ka dalë në vendin e ngjarjes që ndodhej në rrugën “Kolasinski Knjezeva”.
“Zjarri fillimisht është lokalizuar nga zyrtarët policorë që gjendeshin në sigurim të objektit komunal në Zubin Potok së bashku me pronarin e lokalit, përderisa në vend të ngjarjes gjithashtu ka dal edhe njësia e zjarrfikësve. Përveç dëmeve materiale fatmirësisht nuk është raportuar për persona të lënduar”, thuhet në njoftim.
Sipas informacioneve fillestare, hetimeve preliminare policore dhe dëshmive të gjetura nga policia në vendin e ngjarjes dyshohej se zjarri është shkaktuar qëllimshëm.
“Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe burimeve operative në ora 00:50, Policia e Kosovës ka arritur ta identifikojë dhe ta arrestojë personin e dyshuar të përfshirë në këtë rast në rrugën “Kolasinskih Knjezeva” në Zubin Potok, në përpjekje për tu larguar/ikur nga vendi i ngjarjes, ku i njëjti gjithashtu kishte tentuar qe t’ia vë flakën edhe shtëpisë private të pronarit të njëjtë”, thuhet më tej në njoftim.
Të dyshuarit tani më të arrestuar në posedim i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet për vënie të zjarrit: një shishe plastike e mbushur me benzinë e modifikuar si koktej molotovi dhe dy shkrepëse për ndezje të zjarrit.
Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: një radiolidhje, një uniformë ushtarake, dy pllaka të antiplumbit, një palë trenerka me njolla gjaku, si dhe njëzet e dy aparate për prodhimin e kriptovalutave.
“Sipas informatave dyshohet se i dyshuari këto veprime i ka marrë ndaj pronave të familjes së gruas së tij, si pasojë e një mosmarrëveshjeje paraprake me gruan, pasi që kjo e fundit ishte larguar nga shtëpia dhe kishte shkuar që të jetoj në familjen e vet.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia e hetimeve rajonale të cilët kanë kontaktuar me prokurorin kujdestar dhe me udhëzim të tij ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48-orë për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka shtuar se mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e jetës dhe pronës së të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim, si dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj kryerësve të veprave penale apo sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.
/TV Malisheva