Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për shtetasen Z. V., me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Elbasan. Sipas njoftimit për media të SPAK, është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasin I. P., me detyrë avokat mbrojtës, si dhe për shtetasit T.R. dhe Xh.M.
Po ashtu është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale edhe për shtetasin A.T. SPAK ka kryer hetime për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal, “Korrupsionit pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 319/ç të Kodit Penal, si dhe “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit. Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesa për caktimin e masave të sigurimit.
/TV Malisheva